Gjermani, bisedimet për koalicion – Marrin vrull ndërkohë që Schaeuble pritet të drejtojë parlamentin

Gjermania ndërmori hapin e parë vendimtar drejt formimit të Qeverisë së re, kur veterani i Financave, Wolfgang Schaeuble, ra dakord të bëhet president i parlamentit, duke i hapur rrugën një partie tjetër që të kontrollojë ministrinë.
Kancelarja Angela Merkel shpreson që Schaeuble, i respektuar gjerësisht në Gjermani për drejtimin e Eurozonës gjatë krizës financiare, të vulosë autoritetin e tij në Bundestag, ku do të përfshihen 2 parti të tjera pas zgjedhjeve federale të ditës së Diel.
Merkel duhet të formojë koalicionin e parë me dy parti të tjera që prej viteve ’50, pasi konservatorët e saj humbën suport ndaj partisë së djathtë ekstreme, Alternativa për Gjermaninë, që ka hyrë në parlament për të parën herë në gjysmë shekulli.
Opsionet më realiste të Merkel për koalicion tashmë janë Demokratët e Lirë pro-biznesit (FPD) dhe të gjelbrit. Megjithatë, partitë nuk janë dakord në çështje si energjia dhe emigracioni.
Wolfgang Schaeuble, ministri i Financave pro masave shtrënguese, po përgatitet të lë vendin e tij të punës dhe të bëhet kryetari i dhomës së ulët të parlamentit, treguan disa burime ditën e Mërkurë. Gjatë viteve të tij të detyrës që nisën në 2009-ën, ekonomia gjermane ka lulëzuar duke rezultuar në norma të forta të rritjes. Gatishmëria e tij për të dhënë dorëheqjen si ministër i Financave pas 8 vitesh në detyrë, e bën më të lehtë për Partinë Liberal-Demokrate që të krijojnë një koalicion të udhëhequr nga Merkel.
Demokratët e Lirë, që kanë të njëjtin qëndrim fiskal me Schaeuble, kanë bërë të ditur se pëlqejnë vendin e tij. Schaeuble është kritikuar në Europën Jugore, kryesisht në Greqi, për këmbënguljen e tij mbi rritjen e taksave dhe uljen e shpenzimeve në periudhat e recesionit.
Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, tha se me largimin e Schaeuble, nuk mendon se do të zbutet qasja e Bashkimit Europian kundër Greqisë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.