Gjermani: Këshilli i ekspertëve rekomandon kufizimin e kontakteve

Këshilli i ri i ekspertëve të qeverisë federale gjermane parashikon në zhvillimet e pandemisë një “valë Omikron” dhe këshillon për kufizimin e kontakteve dhe sa më shpejt të miratohen këto masa në nivel federate aq më mirë do të jetë për vendin.
Varianti Omikron i koronavirusit javët e muajt e ardhshëm “do ta vendosë Gjermaninë përballë sfidash të mëdha”, thuhet në një deklarim të këshillit të ekspertëve të cilët rekomandojnë se ‘Masat efikase në mbarë federatën për të mbajtur nën kontroll zhvillimet me infeksionet duhet të përgatiten, të planifikohen dhe të komunikohen mirë për kufizimin e kontakteve”.
Në valën e katërt e deri tani më të fuqishme të infeksionit pas gati dy vjetësh pandemi të koronavirusit i gjithë sistemi shëndetësor gjerman aktualisht po punon nën presion të lartë.
“Krahas vendimeve të domosdoshme politike popullsisë duhet t’i bëhet thirrje intensivisht për të kontrolluar rinfeksionin”, këshillojnë ekspertët. “Ndër të tjera duhet të evitohen grumbullimet e mëdha, të mbahet maska FFP2, veçanërisht në mjedise të mbyllura, si dhe të bëhen testime të shpejta në rast grumbullimi njerëzish përpara dhe gjatë ditëve të festave.”
Masat që janë në fuqi aktualisht duhet “të respektohen më me rigorozitet” dhe “Paralelisht duhet të intensifikohet fushata e vaksinimit. Rifreskimi i vaksinimit edhe pas dozës së dytë duhet të vazhdojë sa të jetë e mundur dhe të përshpejtohet. “Modelimet kombëtare dhe ndërkombëtare të dinamikës së infeksionit dhe një rritje e mundshme e incidencës po tregojnë një “cilësi të re të pandemisë”, thuhet në deklarimin e këshillit të ekspertëve.
“Aktualisht koha e supozuar e dyfishimit të incidencës Omikron në Gjermani është rreth 2 – 4 ditë.” Bazuar në masat që janë tani në fuqi kjo kohë e dyfishimit krahasuar me Anglinë ndonëse është më e ulët, tregon që është dukshëm më e shpejtë se me variantet e deritanishme. “Nëse varianti Omikron do të vazhdojë të përhapet me këto ritme në Gjermani, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë do të sëmurej njëkohësisht dhe do të duhej të futej në karantinë”, thuhet më tej. “Kjo do të ngarkonte në esktrem sistemin e shëndetësisë dhe të gjithë infrastrukturën kritike në vend.”
Pas prononcimit të këshillit të ekspertëve për pandeminë Corona, disa media njoftojnë për plane për një takim së shpejti mes landeve dhe federatës për të përcaktuar veprimin e mëtejshëm. Sipas agjencisë gjermane të lajmeve DPA nga qarqet qeveritare mësohet se ndoshta qysh të martën (21.12) mund të zhvillohet një takim në këtë nivel. “Rrjeti redaksional Gjermania” duke iu referuar qarqeve qeveritare njofton gjithashtu për një mbledhje të mundshme të jashtëzakonshme brenda kësaj jave. DW
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.