Gjermani, Komisioni për Stabilitetin: “Normat e ulëta të interesit kërcënojnë bankat dhe siguruesit”

Një raport i Qeverisë gjermane tregoi se normat e ulëta të interesit përbëjnë kërcënimin më të madh ndaj sistemit financiar të vendit, duke inkurajuar ekspozimin ndaj rreziqeve të mëdha nga investitorët dhe trazuar sektorin e sigurimeve të vendit.
Një studim, që bëhet çdo vit nga Komisioni për Stabilitetin Financiar në Gjermani, projektoi se normat e interesit do të qëndrojnë të ulëta edhe për disa kohë dhe paralajmëroi se huamarrja e lirë mund të nxisë bankat që të financojnë projekte më të rrezikshme.
Komisioni, i përbërë nga anëtarë të Ministrisë së Financave, Bundesbankës dhe rregullatorëve financiarë, deklaroi se përqindja e investimeve afat-gjatë të kapitalit të financuara me norma të ulëta të interesit po rritet, gjë që mund të shtojë kostot nëse fillon normalizimi monetar.
“Ekziston edhe rreziku që pjesëmarrësit e tregjeve të mendojnë se janë në një gjendje false të sigurisë me pritshmëri shumë pozitive mbi të ardhmen e politikave makroekonomike. Në një event të zhvillimeve të papërshtatshme, kjo mund të sjellë korrigjime të menjëhershme”, tregon raporti. Politikëbërësit kanë ulur normat e interesit për të ndihmuar përballimin e krizës në Europë, që goditi më ashpër Greqinë, Spanjën dhe Portugalinë. Kreu i rregullatorit financiar të Gjermanisë, BaFin dhe anëtarët e komisionit, theksuan rëndësinë e përgatitjes në avancë për trazirat. Në periudhën përpara krizës financiare, siguruesit e jetës në Gjermani kanë shitur produktet e tyre me norma të garantuara në rreth 4% dhe po përballen me vështirësi me mjedisin aktual për të arritur kthimin që duhet për të paguar mbajtësit e policave. “Ekziston rreziku që të ardhurat e gjeneruara nuk do të jenë të mjaftueshme për të arritur premtimet afat-gjata”, tregoi raporti.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.