Gjermani, të tjera të dhëna shqetësuese – Bien ndjeshëm shitjet me pakicë gjatë korrikut
Të tjera të dhëna negative dhe që rrisin më tej frikën vijnë nga ekonomia gjermane. Sipas këtyre të dhënave, shitjet me pakicë në vend kanë rënë mbi pritshmëritë gjatë muajit Korrik.
Konsumatorët kanë kryer blerje 2.2% më pak se muaji paraardhës. Kjo është e dhëna e fundit në serinë e atyre që tregojnë se ekonomia më e madhe e europës po e humbet vrullin.
Vetëm dy ditë më parë, të dhënat flisnin për një kontraktim të ekonomisë gjermane, çka rrit gjasat për një recesion të mundshëm teknik, në rast se në tremujorin e tretë të viti ekonomia do të jetë po në tkurrje.
Ekonomia gjermane, tradicionalisht ka pasur si shtysë tregtinë e jashtme, por gjatë viteve të fundit ka marrë mbështetje më shumë nga konsumi i brendshëm.
Fuqia blerëse ka marrë shtysë nga tregu i fortë i punës apo kostot e ulta të huadhënies. Pra, të dhënat që tregojnë një rënie të shitjeve me pakicë, janë të dhëna që shqetësojnë shumë.
Kontraktimi i ekonomisë gjermanë gjatë tremujorit të dytë është ekskluzivisht rrjedhojë e dobësisë së tregtisë së jashtme, dhe me rënien e konsumit të brendshëm, tanimë asnjë nga shtyllat e ekonomisë gjermane nuk gëzon shëndet të mirë.
Të dhënat e shitjeve me pakicë gjatë Korrikut rezultojnë gjithashtu bindshëm më keq se pritshmëritë e tregjeve dhe analistëve.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.