Gjermani/ Udhëheqësja e Partisë Social-Demokrate jep dorëheqjen
Kreu i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), Andrea Nahles, tha se do të japë dorëheqjen të dielën, duke hequr dorë nga pozita e saj si kreu i grupit të saj parlamentar, si pasojë e mungesës së mbështetjes së duhur për ta udhëhequr. Dorëheqja hedh dyshime të reja mbi qëndrueshmërinë e koalicionit qeverisës të Gjermanisë, i cili u ishte afër rënies edhe vitin e kaluar. Demo-kristianët dhe socialdemokratët kryesorë të vendit pësuan humbje të mëdha në zgjedhjet e javës së kaluar.
Të Gjelbërtit e Gjermanisë kanë kapërcyer konservatorët e kancelares Angela Merkel për t’u bërë partia më e popullarizuar në Gjermani, ka treguar një sondazh i së shtunës, me mbështetjen e SPD që kapi nivelin më të ulët të të gjitha kohërave. “Diskutimet brenda fraksionit parlamentar dhe reagimet nga brenda partisë më kanë treguar se nuk kam më mbështetjen e nevojshme për të kryer detyrat e mia,” tha Nahles në një deklaratë të lëshuar nga SPD të dielën.
Politikania tha se do të japë dorëheqjen si kreu i SPD të hënën dhe do të linte pozicionin e udhëheqëses së partisë në parlament të martën. Nahles do të përballet me një votim për pozitën e saj si udhëheqëse të martën pasi vendimi i saj për të qëndruar në koalicion me konservatorët e Angela Merkelit u kritikua nga e majta e partisë. Më parë, nënkryetari i qeverisë gjermane Olaf Scholz i tha Tagesspiegel të Gjermanisë se ai kishte përjashtuar hyrjen në një koalicion tjetër të madh, pasi social-demokratët e vendit kërkonin të rigrupoheshin pas humbjeve gjatë zgjedhjeve parlamentare europiane javën e kaluar. SPD po përpiqet tani për t’i dhënë fund armiqësive për të stabilizuar udhëheqjen e saj.
Një sondazh i Forsa të së shtunës tregoi se Scholz është më popullor se trashëgimtarja e kancelares Merkel, Annegret Kramp-Karrenbauer. Javën e kaluar e përjavshmja gjermane, Bild am Sonntag, raportoi se ish kreu i SPD Martin Schulz dëshiron të zëvendësojë Nahles si kreu i partisë parlamentare. Ai i tha gazetës gjermane Welt am Sonntag se nuk do të qëndronte kundër Nahles në votimin e udhëheqjes të martën, por nuk pranoi të përgjigjet nëse do të kërkonte që të bëhej udhëheqësi i ri.
Burimi: Reuters
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.