Gjermania akordon dhjetëra bursa për studentët shqiptarë. Kriteret e aplikimit për programin e bursave, ku mund të gjeni më shumë informacion

Edhe këtë vit Gjermania mbështet shumë shqiptarë me bursa për studime, kërkime dhe kualifikime. Konkretisht, në një ceremoni festive në Ambasadën Gjermane, u bë dorëzimi i bursave të Shërbimit Gjerman për Shkëmbimin Akademik (DAAD). Në vitin 2017 mund t‘i gëzohen mbështetjes së DAAD-it më shumë se 30 studentë nga Shqipëria. Kjo e fundit akordon bursa për programe të ndryshme, duke filluar që nga studimi master e deri tek kurset verore të gjuhës profesionale pranë universiteteve gjermane, në të cilat studentët mund të perfeksionojnë njohuritë e tyre të gjuhës gjermane.
“Qeveria Federale investon shumë për mbështetjen e arsimit në Shqipëri”, tha Referentja e Kulturës Christiane Wolters gjatë ceremonisë së dorëzimit të bursave. Ajo përgëzoi të gjithë bursantët, të cilët ia dolën të përzgjidheshin përkundrejt aplikuesve të shumtë.
“Shqipëria ka nevojë pikërisht për njerëz si ju: të motivuar, të arsimuar më së miri me njohuri gjuhësh të huaja dhe përvojë jashtë shtetit.” DAAD-i është organizata më e madhe në botë për shkëmbimin shkencor. Që prej fillimit të viteve ’90 DAAD-i ka mbështetur disa mijëra shqiptarë jo vetëm me bursa, por edhe në kuadrin e projekteve të ndryshme në fushën e arsimit të lartë.
Krahas DAAD-it ka edhe shumë institucione të tjera gjermane, të cilat japin bursa duke mbështetur kësisoj ndërtimin e dijes dhe Know-How-it në Shqipëri. Kështu institucione gjermane si Instituti Goethe (GI), Shërbimi për Shkëmbimin Pedagogjik (PAD) dhe Zyra Qendrore për Arsimin Jashtë Vendit (ZfA) mbështesin rregullisht nxënës, mësues dhe studentë për të përmirësuar njohuritë e tyre të gjuhës gjermane.
Krahas këtyre bursave ka edhe shumë programe bursash të tjera si p.sh. Bursa Ndërkombëtare Parlamentare e Budestagut Gjerman dhe Programi i Bursave të Komisionit Lindor për Ekonominë Gjermane (OA). Informacione të mëtejshme për punën e DAAD-it dhe për programet e bursave mund të gjeni në faqet e mëposhtme të internetit: http://www.daad-al.org/ https://www.daad.de/laenderinformationen/albanien/de/
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.