Gjermania bën thirrje përpara “G7” – Altmaier: Europa të qëndrojë e bashkuar përballë tensioneve tregtare

Ministri gjerman i ekonomisë, Peter Altmaier, bëri thirrje që Europa të qëndrojë e bashkuar përballë rritjes së tensioneve tregtare me SHBA, duke shtuar se nuk ka qartësi se si takimi i grupit të shtatë ekonomive të pasura do të përfundojë. Ai theksoi rëndësinë e një uniteti europian mbi tregtinë e lirë dhe interesave ekonomikë, veçanërisht pas vendosjes së sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara ndaj aleatëve si Kanadaja, Japonia dhe Bashkimi Europian.
Liderët e vendeve të G7-ës që do të nisin bisedimet këtë fundjavë në Kanada, do të përballen me takimin më të vështirë në historinë 42-vjeçare të grupit, ndërkohë që politikat “Amerika e Para” po rrisin ndasitë mes vendeve. Trump ka vendosur tarifa mbi importet e çelikut dhe aluminit dhe ka kërcënuar se do të bëjë të njëjtën gjë për makinat. Vendimi i tij për t’u tërhequr nga pakti bërthamor i vitit 2015 me Iranin dhe nga marrëveshja mbi klimën të arritur në Paris, ka shtuar gjithashtu tensionet.
Altmaier tha se Bashkimi Europian është përmbajtur në prezantimin e tarifave, por do ta bëjë këtë gjë nëse nuk ka alternativë tjetër. Ministri i Jashtëm, Heiko Maas, tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë partneri kryesor i Gjermanisë jashtë Europës. Megjithatë, ai shton se ekzistojnë shumë ndasi që nuk mund të injorohen dhe se europës i duhen partneritete të reja. Maas bëri thirrje për krijimin e një këshilli europian të sigurisë, një ide e mbështetur nga kancelarja Angela Merkel dhe shtoi se përfundimi i kushteve aktuale për vendime unanime mbi politikat e jashtme dhe të sigurisë do të shtonte shkathtësinë e unionit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.