Gjermania do padisë SHBA -Taksa në kufi prej 35%, rregullat e OBT nuk e lejojnë

Gjermania mund të dorëzojë një padi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Organizatën Botërore të Tregtisë për propozimin e Presidentit Trump mbi vendosjen e një takse në kufi, deklaroi Brigitte Zypries, ministe e ekonomisë dhe energjisë në Gjermani përpara takimit mes Merkel dhe Trump.
Ky i fundit ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara do të vendosin një taksë në kufi prej 35% për makinat që prodhuesit gjermanë planifikojnë të prodhojnë në Meksikë e më pas t`i importojnë në tregun amerikan.
“Në rregullat e përbashkëta të Organizatës Botërore të Tregtisë thuhet qartë se, nuk lejohet të vendosen taksa mbi 2.5% mbi importin e makinave”-deklaroi ministrja gjermane e ekonomisë.
Merkel dhe Trump takohen të Premten në atë që është edhe takimi i tyre i parë që prej marrjes së detyrës nga presidenti më 20 Janar.
Gjermania ka qenë vazhdimisht, edhe gjatë fushatës elektorale, por edhe pas fitores, kritikja më e madhe e Trump në Europë, duke e shprehur haptazi pakënaqësinë. Nga ana tjetër, suficiti tregtar i Gjermanisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka bërë që Trump të sulmojë direkt Berlinin.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.