Gjermania, grant 6.5 mln euro Kosovës për garantimin e kredive
Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë i ka dhuruar 6.5 milionë euro qeverisë së Kosovës për rritjen e kapitalit të Fondin Kosovar për garantimin e kredive. Marrëveshja u nënshkrua ditën e premte, ndërsa mjetet do të jenë të dedikuara për sektorin e bujqësisë.
Gjatës ceremonisë, ministri Bedri Hamza shtoi se kjo është marrëveshja e tetë që u nënshkrua me Qeverinë Gjermane që nga marrja e mandatit në shtator të viti 2017.
Ai tha se që nga marrja e këtij mandati, është i zotuar për zhvillimin e sektorit privat në Kosovë, ku një prej instrumenteve është edhe rritja e kapitalit të Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive.
“Shteti Gjerman është njëri ndër donatorët më të mëdhenj për Kosovën dhe që nga viti 1999 përmes kontributit financiar dhe teknik është prezent në Kosovë me shumën përmbi 500 milionë euro, prej të cilave më shumë së 80 % prej tyre janë grant. Ndërsa Fondi për Garantimin e Kredive vetëm nga Qeveria Gjermane deri më tani ka pranuar kontribut financiar apo para falë në vlerë prej 14 milionë euro, çka mundëson që sektori privat, përfshirë këtu të rinjtë dhe gratë të kenë qasje më të lehtë në financimin e bizneseve të tyre dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, u shpreh ministri.
Sipas ministrit, nga 101 milionë euro grante të nënshkruara që prej marrjes së mandatit, rreth 50 milionë euro janë kontribut nga Gjermania.
Ndërsa ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, u shpreh se kjo ndihmesë është që Kosova të jetë sa më afër integrimeve euroatlantike.
Ai gjithashtu tha se për rritje të qëndrueshme ekonomike, sektori financiar është shtylla më e rëndësishme, ngjashëm është edhe në shtetin gjerman.
Ky fond ka lehtësuar qasjen në financa për ndërmarrje të vogla dhe të mesme e që janë shtylla e zhvillimit ekonomik në Kosovë. Prandaj, fondi është krijuar në mënyrë mirëbesimi dhe ka vendosur parakushte të domosdoshme që institucionet financiare t’u japin ndihmë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.