Gjermania heton Amazon – Dyshohet se shfrytëzon tregtarët që përdorin platformën
Autoriteti i konkurrencës në Gjermani, ka nisur një hetim mbi gjigantin e tregtisë online në Shtetet e Bashkuara, Amazon, për të zbuluar nëse po shfrytëzon pozitën dominuese në marrëdhëniet me palët e treta, që përdorin faqen në rrjet për të shitur produktet e veta. Zyra Federale e Kartelit, deklaroi se ka marrë shumë ankesa nga tregtarët për praktikat e fundit të biznesit të Amazon. Presidenti i autoritetit, Andreas Mundt, tha se Amazon sillet si një “rojtar” ndaj konsumatorëve.
Sipas tij, roli i dyfishtë si tregtari më i madh dhe krijuesi i tregut më të madh, nënkupton se ka aftësi për të penguar tregtarët e tjerë që përdorin platformën. Zyra gjermane deklaroi se hetimi synon të vlerësojë kushtet e biznesit që Amazon vendos ndaj palëve të treta që përdorin platformën, përfshirë këtu mungesën e transparencës për pagesat vonuara, përfundimin e pagesës dhe kushte e transportit. Njësia e Amazon në Gjermani, nuk komentoi pasi u kontaktua nga Reuters.
Gjermania është tregu i dytë më i madh i Amazon. Kompania është përballur me beteja të gjata me sindikatat në vend, mbi kushtet e pagesave për punëtorët e logjistikës, që organizuan protesta javën e kaluar. Autoriteti i konkurrencës në vend po heton gjithashtu Facebook pasi zbuloi se gjiganti i medias sociale ka abuzuar nëpërmjet pozitës që ka në treg, për të mbledhur të dhëna për njerëzit pa njohuri apo pëlqimin e tyre.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.