Gjermania jep edhe 6.5 milionë euro për eficencën e energjisë në godinat e Qytetit Studenti
Është firmosur sot marrëveshja e re në kuadër të Programit për Rinovimin e Konvikteve në Kampusin Universitar të Tiranës, me qëllim çuarjen përpara të eficencës së energjisë. Marrëveshja është firmosur sot nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë Susanne Schutz, Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe përfaqësuesi i kfW-së.
Vlera financiare e dhënë në formë granti nga qeveria gjermane në këtë marrëveshje arrin në 6.5 milion euro ndërsa aktualisht është në fazë zbatimi projekti i mëparshëm në vlerën 9 milion euro.
“Është kënaqësi që ndodhemi në këtë aktivitet së bashku me përfaqësuesit e KfW-së në lidhje me nënshkrimin e vazhdimit të një projekti shumë të rëndësishëm në fushën energjetike. Një nga elementët që ne kemi promovuar si qeveri është kursimi i energjisë elektrike nëpërmjet përmirësimit të eficencës dhe realisht qeveria gjermane ndërmjet KfW-së ka qenë pionierja e parë që na ka dhënë mbështetjen e nevojshme, duke çuar një paketë investimesh gati prej 15 milion eurosh, më e madhja e këtij lloji”, u shpreh ministri Gjiknuri.
Duke parë përftimet që do të kemi nga zbatimi, vijoi ai, ne do të mundohemi që një projekt të tillë ta shtrimë në të gjitha godinat e tjera qeveritare. “Ky është avantazhi. Pra, të nxisim industrinë që është eficiente nga pikëpamja energjetike dhe të gjitha investimet që do të bëhen në Shqipëri, sidomos ato që kanë dorën e shtetit dhe financimet e shtetit duhet të dizenjohen dhe të ndërtohen nga pikëpamja e eficencës energjetike”, nënvizoi Gjiknuri.
Këto investime po bëjnë të mundur që studentët të kenë kushte shumë më të mira, por njëkohësisht edhe ndërmarrja në fjalë që është një aset shtetëror do të kursejë para nga konsumi i energjisë elektrike.
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.