Gjermania konfirmon vrullin – Ekonomia rritet me 0.6% në T4, kontributi më i madh vjen nga tregtia
Ekonomia më e madhe e Europës e përfundoi 2017-ën në performancë të fortë, pavarësisht pasigurive politike në vendin që shihet si simbol i stabilitetit.
Tregtia e jashtme dha kontributin më të madh në rritjen me 0.6% të ekonomisë gjermane në tremujorin e katërt dhe analistët presin gjerësisht që ky vrull të vazhdojë në tremujorin e parë 2018.
Gjermania pret ende formimin e Qeverisë 5 muaj pas zgjedhjeve të Shtatorit. Konservatorët e kancelares Angela Merkel dhe social demokratët kanë rënë dakord në formimin e një koalicioni, por pritet ende votimi nga anëtarët e partisë Social Demokrate.
Sipas analistëve, ekonomia gjermane është rritur sipër trendit afat-gjatë që prej vitit 2014 dhe kjo tendencë pritet të vazhdojë këtë vit edhe tjetrin. Zyra Federale e Statistikave (Destatis) bëri të ditur se eksportet, që kanë qenë motori tradicional i rritjes gjermane, janë rritur me 2.7% ndërsa importet me 2%.
Tregtia neto dha një kontribut me 0.5% ndaj rritjes së Produktit të Brendshëm Bruto. Megjithatë, konsumi privat, që është parë si një nxitës i rëndësishëm i ekonomisë në vitet e fundit, si dhe investime kapitale, nuk dhanë kontribut në rritjen e PBB. Shpenzimet qeveritare i shtuan 0.1% rritjes ekonomike.
Ministria e Financave pret që rimëkëmbja të vazhdojë në fillim të 2018-ës ndërsa instituti për hulumtime ekonomike Ifo, ka deklaruar se besimi i fortë i bizneseve tregon për një rritje me 0.7% në tremujorin e parë.
Projeksionet e Bundesbank janë gjithashtu optimiste, për një rritje me 2.5% të ekonomisë këtë vit, që do të ishte norma më e fortë që prej 2011-ës.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.