Gjermania, kredi për arsimin – 4.5 mln euro për “formimin profesional dhe punësimin” në Shqipëri
Qeveria Gjermane i jep mundësi kredie Shqipërisë, deri në 4 500 000 euro, për projektin “Fondi arsimor për formimin profesional dhe punësimin”.
Ky bashkëpunim financiar vjen në bazë të një marrëveshje mes dy qeverive për të kontribuar në zhvillimin social dhe ekonomik në Shqipëri. Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, ky projekt mund të zëvendësohet me projekte të tjera nëse kanë rënë dakord dy qeveritë.
Kjo marrëveshje gjen zbatim edhe në rast se nevojiten hua, shuma të tjera financimi për përgatitjen e projektit të përmendur më sipër, apo për masa të nevojshme shoqëruese për zbatimin dhe mbikëqyrjen e projektit. Përdorimi i shumës së përmendur, kushtet me të cilat vihet në dispozicion ajo, si dhe procedura e dhënies së porosisë përcaktohen në kontratat që do të lidhen midis “Kreditanstalt für Wiederaufbau” dhe të marrësve të shumës së financimit, të cilat u nënshtrohen dispozitave ligjore që janë në fuqi në Republikën Federale të Gjermanisë.
Kjo marrëveshje zhvlerësohet, në rast se kontratat përkatëse të financimit nuk lidhen brenda një afati prej 6 vitesh. Afati për shumën e përmendur mbaron më 31 dhjetor 2022.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.