Gjermania me “këmbë në tokë” – Nuk pranon të rishikojë projeksionet për ekonominë

Kur bëhet fjalë për të ardhmen, Gjermania nuk di dhe nuk do të jetë asnjëherë optimiste.
Filozofia e gjermanëve është e qartë; duhet të rrish me këmbë në tokë. Pavarësisht se të dhënat e fundit flasin për një boom të ekonomisë më të madhe të Europës, Berlini zyrtar nuk ka ndërmend të rishikojë projeksionet e rritjes, dhe i mbetet besnik atyre të mëparshme.
Një javë më parë, banka qendrore e Gjermanisë por edhe një sërë institucionesh të tjera të rëndësishme si Komisioni Europian, rritën projeksionet për ekonominë e vendit gjatë këtij viti dhe atij të ardhshëm, në 1.9 dhe 1.7%.
Qeveria federale ndërkohë nuk ka ndërmend të lëvizë nga projeksioni për një rritje prej 1.5% gjatë këtij viti dhe 1.6% vitin e ardhshëm, aq sa vlerësonte në Prill të këtij viti.
“Unë mendoj se duhet të jemi realistë. Dhe për këtë arsye jam e mendimit se projeksioni ynë i pranverës është i saktë”, deklaroi ministrja gjermane e ekonomisë.
Dozat e theksuara të pesimizmit gjerman marrin shtysë kryesisht nga ngadalësimi dhe shqetësimet që burojnë nga tregtia globale.
Këtë gjë e theksoi dhe ministrja gjermane duke i`u referuar kryesisht proteksionizmit me të cilin po kërcënon Donald Trump.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.