Gjermania në “formë”, sektori privat me performancën më të mirë në 70 muaj

Sektori privat në Gjermani u rrit me hapin më të shpejtë në 6 vite gjatë Marsit, tregojnë të dhënat e fundit. Trendi nxitet kryesisht nga kërkesa për produktet e manifakturës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina, Britania dhe Lindja e Mesme.
Këto të dhëna sinjalizojnë se, rritja e ekonomisë më të madhe të Eurozonës do të përshpejtohet gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Indeksi PMI i Markit që është edhe një ndër matësit më të saktë të aktivitetit ekonomik, u regjistrua kështu në 57 pikë gjatë Marsit në krahasim me 56.1 pikë që ishte muajin paraardhës.
Leximi i shifrës flet për rezultatin më të mirë në 70 muaj. Indeksi i Markit mat aktivitetin në sektorin e manifakturës dhe atë të shërbimeve, që zënë më shumë se dy të tretën e ekonomisë.
Niveli i 50 pikëve ndërkohë ndan rritjen nga kontraktimi. Leximi i Marsit rezulton gjithashtu bindshëm mbi projeksionet e tregjeve dhe analistëve për muajin. Performanca në sektorin e manifakturës ka prekur nivelin më të lartë në 71 muaj, ndërkohë që në sektorin e shërbimeve ka prekur rekordin e 15 muajve.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.