Gjermania nuk humbet vrull – Tregtia e investimet nxisin ekonominë, largohen shqetësimet politike
Tregtia dhe rritja e investimeve nga bizneset kanë nxitur ekonominë gjermane në tremujorin e tretë, duke treguar se rimëkëmbja e ekonomisë do të vazhdojë deri në fund të këtij viti, raporton zyra Federale e Statistikave.
Të dhënat kanë zbutur shqetësimet mbi ekonominë të lidhura me dështimin e formimit të Qeverisë.
Të dhënat e detajuara treguan se eksportet u rritën me 1.7% për tremujorin ndërsa importet me 0.9%, duke bërë që tregtia neto të japë një kontribut prej 0.4% ndaj rritjes së Produktit të Brendshëm Bruto.
Ekonomia u rrit me 0.8% me bazë tremujore për periudhën. Investimet e bizneseve në makineri dhe pajisje u rritën me 1.5%, duke kontribuar me 0.1% ndaj rritjes ekonomike. Shpenzimet e ekonomive familjare, ranë me 0.1% ndërsa shpenzimet qeveritare mbetën të pandërruara.
Shifrat kanë vënë përsëri eksportet në nxitësin kryesorë të ekonomisë, që në kohët e fundit është mbështetur te konsumi privat.
Sipas ekonomistëve, kërkesa e jashtme, normat e ulëta të interesit dhe euro e dobët pritet të mbrojnë ekonominë ndaj pasigurive politike.
Të dhënat e marra nga sondazhet drejt fabrikave të vendit, dhanë gjithashtu një perspektivë pozitive për ekonominë.
Investimet në ndërtim ranë me 0.4% për periudhën, duke mos kontribuar në rritjen ekonomike të tremujorit të tretë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.