Gjermania pranë recesionit- Tregtia e jashtme nxit tkurrjen e ekonomisë në T2
Ekonomia gjermane regjistrohet në kontraktim gjatë tremujorit të dytë të vitit, tregojnë të dhënat më të fundit. Sipas këtyre të dhënave, dobësia e eksperteve ka bërë që ekonomia më e madhe e Europës të tkurret me 0.1% në terma tremujorësh gjatë periudhës Prill-Qershor.
Kjo performancë mjaft negative vjen pas një zgjerimi me 0.4% në tremujorin e parë të vitit. Nga ana tjetër, një shifër e tillë rrit ndjeshëm shqetësimin se lokomotiva e ekonomisë europiane mund të hyjë në recesion duke krijuar një spirale të rrezikshme në të gjithë kontinentin e vjetër, e jo vetëm.
Ekspertët parashikojnë që edhe tremujori i tretë i vitit të jetë në kontraktim, ç`ka përkthehet në recesion teknik, pra me dy tremujorë me radhë në rënie. Tregtia e jashtme duket të jetë thembra e Akilit e ekonomisë gjermane, dhe tensionet më të fundit tregtare si dhe rënia e kërkesës së jashtme kanë bërë që të marrë një goditje të rëndë gjatë tremujorit të dytë të vitit.
Eksportet ranë kështu më shumë se importet. Tregtia e jashtme neto fshiu 0.5% të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Shpenzimet familjare, ato shtetërore si dhe investimet private, ishin të treja në rritje, por jo mjaftueshëm për të zhbërë efektin e tregtisë së jashtme.
Indeksi i ndjeshmërisë së biznesit ndërkohë tregon se morali i biznesit është përkeqësuar ndjeshëm, mbi pritshmëritë, duke prekur nivelin më të ulët në 7 vite, dhe duke konfirmuar edhe një herë se tensionet tregtare po e dëmtojnë rëndë ekonominë më të madhe të Europës.
Roel Korkuti/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.