Gjermania thyen vazhdimisht rregullat e ndotjes / Vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë mund të sjellë gjoba
Gjermania ka shkelur në mënyrë të vazhdueshme limitet e BE mbi ndotjen e ajrit, sipas gjykatës më të lartë të Bashkimit Evropian, në një vendim që mund të sjellë penalitete financiare për vendin, nëse dështon të përmirësojë cilësinë e ajrit për qytetet e mëdha. Ndotja e ajrit në Evropë është reduktuar në dekadën e fundit, por vazhdon të qëndrojë rreziku më i madh i shëndetit mjedisor në kontinent. Ekspozimi i zgjatur ndaj ajrit të ndotur mund të shkaktojë diabet, sëmundje të mushkërive dhe kancer. Gjykata Evropiane e Drejtësisë deklaroi se nga viti 2010 deri në 2016-n, gjermania ka thyer limitet vjetore të BE për ndotjen e dioksidit të azotit (NO2) në 26 zona, ndër to; Berlini, Stuttgarti, Mynihu, Këlni dhe Duesseldorfi. Gjykata, duke mbajtur anën e Komisionit Europian që paraqiti çështjen, vendosi se qeveria gjermane ka dështuar të përshtatë masa për t’u përputhur me rregullat e cilësisë së ajrit në Europë. Gjermania duhet të përputhet ose rrezikon veprime të mëtejshme ligjore. Megjithatë, që prej vitit 2016, shumica e rajoneve në fjalë kanë ndaluar ndotjen e dioksidit të azotit për t’u përshtatur me rregullat, mbështetur nga zhvendosja tek makinat më pak ndotëse dhe masa lokale si ndalimi i makinave, limitet e shpejtësisë dhe autobuzat me emetime të ulëta. Në vitin 2020, 6 qytete gjermane thyen limitin mesatar vjetor prej 40 mikrogram të dioksidit të azotit për metra kub ajër, në rënie nga 90 qytete në vitin 2016, sipas të dhënave. Mynihu dhe Stutgarti janë ndër ato që thyen limitin vitin e kaluar. Transporti në rrugë është burimi kryesor i emetimit të dioksidit të azotit, çka nënkupton se zonat urbane janë më të goditurat.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.