Gjermania vazhdon në vrull – Industria fuqizohet në Nëntor, suficiti tregtar rritet në 22 mld euro
Prodhimi industrial në Gjermani është rritur ndjeshëm gjatë Nëntorit, duke treguar se ekonomia më e madhe e Europës do të vazhdojë vrullin përgjatë 2018-ës.
Prodhimi industrial u rrit me 3.4% gjatë muajit, që është rritja më e madhe mujore që prej Shtatorit 2009, duke thyer projeksionet e analistëve për 1.8% rritje.
Zyra Federale e Statistikave publikoi edhe të dhënat mbi tregtinë, me eksportet që patën rritje me 4.1% gjatë muajit, ndërsa importet u rritën me 2.3% prej kërkesës së fortë brenda vendit.
Të dhënat mbi tregtinë thyen gjithashtu vlerësimet e analistëve, duke zgjeruar suficitin tregtar në 22.3 miliardë euro, nga 19.9 miliardë që ishte në Tetor.
Ekonomistët thonë se fuqizimi i industrisë gjatë Nëntorit konfirmon vrullin e ekonomisë në fund të 2017-ës, si dhe nisjen pozitive për 2018-ën.
Ekonomia gjermane ka vazhduar rritjen e fortë pavarësisht ngërçit politik, ndërkohë që kancelarja Angela Merkel ka dështuar deri më tani që të krijojë koalicionin qeverisës.
Zyra e Statistikave do të publikojë gjatë kësaj jave të dhënat mbi Produktin e Brendshëm Bruto për vitin e plotë 2017, ku pritet një rritje me 2.4%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.