Gjermania vazhdon në “vrull” – Norma e papunësisë qëndron në 5.7%, konsumi fuqizohet

Norma e papunësisë në Gjermani ka mbetur e pandryshuar në 5.7% në muajin Qershor, që është niveli më i ulët që prej ribashkimit në vitin 1990 dhe në linjë me projeksionet e analistëve.
Numri i personave të papunë në ekonominë më të madhe të Europës ra me 25 mijë në muajin Qershor. Sipas Zyrës Federale të Punës, 2.473 milionë persona janë regjistruar të papunë, në rënie me 142 mijë krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Megjithatë, duke u përshtatur me efektet sezonale, numri i personave të papunë u rrit papritur me 7,000 njësi.
“Punësimi dhe kërkesa e firmave për punonjës të rinj kanë qenë në rritje të fortë”, deklaron zyra e Punës. Numri i personave të punësuar shënoi 44.1 milionë në Maj, duke u rritur me 641 mijë nga e njëjta periudhë e një viti më parë. Të dhëna të tjera nga Zyra Federale e Statistikave treguan se shitjet me pakicë, një tregues i konsumit, u rritën bindshëm në muajin Maj.
Shitjet u rritën me 4.8% në Maj me bazë vjetore, ndërsa krahasuar me muajin e kaluar, me 0.5%, duke mbështetur pritshmëritë se konsumi privat do të nxisë rritjen e ekonomisë më të madhe të Europës këtë vit. Konsumi ka zënë vendin kryesor të rritjes ekonomike në Gjermani, duke kaluar kontributin e eksporteve, kryesisht prej tregut të fortë të punës dhe normave të ulëta të interesit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.