Gjermania vendos një strategji kombëtare sigurie veç investimeve masive ushtarake!

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock kishte ftuar përfaqësues të trupit diplomatik në ambientet e Ministrisë së Jashtme, kur e prezantoi fillimin e punës për Strategjinë Kombëtare të Sigurisë (18.03.2022). Gjermania e harton për herë të parë një strategji të tillë kombëtare sigurie.
Kjo ka tërhequr vëmendjen në Europë pas kthesës historike gjermane në investimet ushtarake. 100 miliardë euro shtesë për mbrojtjen në vitin 2022 dhe prej 2023 mbi 75 miliardë euro në vit, e bëjnë Gjermaninë fuqinë më të madhe ushtarake të Europës.
Ky shndërrim historik i politikës së jashtme dhe të sigurisë të Gjermanisë, i shpallur nga kancelari Olaf Scholz do të argumentohet tani edhe me një doktrinë të sigurisë së Gjermanisë. Qeveria gjermane do të shpjegojë me këtë Strategji pozicionin e Gjermanisë në botë dhe synimet e Gjermanisë.
Hartimin e një Strategjie Kombëtare të Sigurisë, qeveria gjermane e kishte vendosur që në marrëveshjen e koalicionit qeveritar. “Ne do të paraqesim një strategji gjithëpërfshirëse të sigurisë kombëtare në vitin e parë të qeverisë së re federale”, shkruhet në marrëveshje.
Njëkohësisht, lufta e Rusisë kundër Ukrainës përfaqëson një “kthesë gjeopolitike”, siç u shpreh ministrja e Jashtme Baerbock. Me luftën në Ukrainë u thye rendi i paqes në Europë. Kjo zgjon “dëshirë të zjarrtë për siguri”, të cilën “ndoshta brezi im nuk e ka ndierë kurrë vërtet”, tha Annalena Baerbock.
Punën për hartimin e Strategjisë po e drejton Ministria e Jashtme e Gjermanisë. Por kontribute për Strategjinë do të japin ministria e Mbrojtjes, ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Propozime priten dhe nga institucione kërkimore dhe iniciativa civile. Kjo përfshirje e gjerë e institucioneve qendrore gjermane tregon se Gjermania është e vendosur, për të hartuar një strategji sigurie shumë përfaqësuese.
Edhe në vitin 2016 u hartua një Libër i Bardhë për Politikën e Sigurisë dhe të ardhmen e Bundeswehrit. Por dokumenti u la në harresë, e humbi fuqinë edhe për faktin që në hartimin e tij, ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë nuk përfshiu institucione të tjera, si p.sh. ministrinë e Financave. DW
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.