Gjermania zhbllokon reformimin – Unioni bankar dhe fondi i përbashkët, eurozona bie dakord

Liderët e 19 ekonomive që ndajnë monedhën e përbashkët ranë dakord për një nxitje dhe fillim të ri të reformave, në mënyrë që blloku të bëhet më i fortë ndaj një krize të mundshme në të ardhmen. Reformimi i Eurozonës është një temë që ka gjeneruar gjithmonë debate brenda unionit, me ekspertët por edhe drejtuesit e institucioneve kryesore europiane që kanë bërë vazhdimisht thirrje për vijimin e këtyre reformave të bllokuara.
Liderët e Eurozonës konfirmuan kështu një vullnet të ri për të përfunduar unionin bankar, që është shtylla e tretë e Eurozonës, si dhe të zhvillojnë një fond të shpëtimit. Këto dy projekte madhore janë shtyrë gjatë muajve të fundit si pasojë e mungesës së qeverisë gjermane. Zgjedhja e qeverisë së re, me Angela Merkel në krye për një mandat të katërt ka zhbllokuar të gjitha pengesat. Zgjidhjet konkrete për këto dy çështje, sipas kreut të Eurogrupit, Mario Centeno, do të vijnë gjatë samitit të Qershorit.
“Ne po kalojmë situatën më të mirë që prej prezantimit të euros, gjë që e bën këtë kohë të përshtatshme për të reflektuar strategjikisht mbi ambiciet tona afat-gjatë”-deklaroi Donald Tusk. Nga ana tjetër, Angela Merkel deklaroi: `është tërësisht e qartë se na duhet progres, dhe mjaft i shpejtë, në drejtim të unionit bankar, në mënyrë që të zhbllokojmë rrugën. Ndër të tjera ajo shtoi se, eurozonës i nevojitet një treg i`u përbashkët kapital.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.