Gjermanisë i afron recesioni – Ifo ul projeksionet ekonomike prej Brexit dhe luftës tregtare
Instituti për hulumtime ekonomike Ifo në Gjermani, uli projeksionet për rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto dhe bëri të ditur se ekonomia më e madhe e Europës do të hyjë në recesion në tremujorin e tretë. Rritja ekonomike për këtë vit u ul në 0.5% nga 0.6% dhe u projektua se në tremujorin e tretë, do të ketë një tkurrje me 0.1%, gjë që do të çonte vendin në recesion.
“Perspektiva gjermane është nxirë nga shumë pasiguri”, deklaroi instituti, duke përmendur Brexit pa marrëveshje dhe luftën tregtare Kinë-SHBA. Ekonomia gjermane është ngadalësuar ndërkohë që sektori i manifakturës që varet nga eksportet, po përballet me pasiguri të mëdha nga konfliktet tregtare dhe dalja e Britanisë nga Bashkimi Europian.
Sipas projeksioneve, ngadalësimi në manifakturë po përhapet edhe në pjesë të tjera të ekonomisë, përfshirë sektorin e shërbimeve. Instituti pret një rimëkëmbje të lehtë ekonomike në tremujorin e katërt. Projeksionet janë bërë duke supozuar se nuk do të ndodh Brexit pa marrëveshje dhe lufta tregtare Kinë-SHBA nuk merr vrull.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.