Gjermeni: Legalizimet, kapitali që po i shtojmë tregut – Intervistë me ministren e Zhvillimit Urban, bilanci në vitin e katërt të qeverisjes

Nertila Maho
Fotot nga Blerta Kambo
Bilancet janë gjithmonë të vështira, sidomos kur flasim për bilance qeverie. Një pjesë shohin gotën gjysëm plot, të tjerët gjysëm bosh. Por vetëm ata që kanë ndjerë mbi vete shtrëngimin apo lehtësimin e masave mund ta thonë vlerësimin. Për një ministri që nuk është trajtuar për peshën që ka në të vërtetë, Ministria e Zhvilimit Urban mund të thuhet se ka dhënë ndikimin e saj mbi jetën e qindra mijëra banorë në gjithë vendin. Të paktën 100 mijë persona mbajnë sot në duar lejet e legalizimit. Qindra mijëra të tjerë kanë prekur ndryshimin qoftë edhe përmes formës modeste të një shatërvani më shumë në qytet apo të një sheshi më estetik, kurse një numër më i vogël sot kanë një strehë mbi kokë falë politikave sociale. Gjithsesi këto katër vite edhe pse intensivë fokusin e kanë pasur tek ngritja e kuadrit ligjor në fushat që mungonin, siç janë planifikimi dhe politikat sociale. Kjo bëri që ndoshta procesi më i suksesshëm në praktikë dhe terren të jetë legalizimi. Në një intervistë për “Scan Magazine” Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni prek çështjet që lidhen me institucionin që ajo drejton, tashmë në vitin e katërt të kësaj mazhorance. Në thelb, ajo sheh si një vlerë të shtuar të tregut, kapitalin që shtohet pëmes procesit të legalizimit. Banka Botërore do të nënvizonte pak vite më parë që Shqipëria ka të paktën 450 mijë ndërtime informale që duhet të gjejnë zgjidhje. Sot kemi të paktën edhe 350 mijë objekte që duhet të legalizohen. Por edhe pse kemi më pak se 1/4 duket se të paktën procesi ka hyrë në normalitetin e tij. Por si e vlerëson vetë Gjermeni bilancin e ministrisë në katër vite, çfarë mund të ishte bërë më më mirë, cilat janë projektet në vijim që kanë ndjeshmëri më të lartë, cila është rëndësia e dokumentave të planifikimit të miratuara tashmë dhe a garantojnë zhvillim të qëndrueshëm.

Jeni prej katër vitesh në krye të Ministrisë së Zhvillimit Urban. A mund të bëjmë një bilanc të punës së ministrisë në këto vite? Çfarë është bërë mirë sipas jush, dhe çfarë mund të ishte bërë më mirë?
Duket që koha ka kaluar shpejt dhe në fakt po më duket çudi që u bënë katër vite në drejtim të këtij institucioni që është dhe vetë shumë i ri në moshë. Më kujtohet ai momenti i parë që u prezantova si ministre e këtij institucioni dhe u angazhova para qytetarëve për reformat që ne do të ndërmerrnim në fushën e planifikimit, legalizimit, zhvillimit urban, strehimit, pra një portofol me një peshë dhe impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Kjo ministri ka një histori shumë të këndshme që e ka zanafillën prej krijimit të saj. Si një institucion që krijohej për herë të parë në tetor të vitit 2013, puna nisi me një bërthamë shumë të vogël njerëzish. E vlerësoj shumë punën e bërë nga i gjithë stafi me të cilin unë kam kënaqësinë të ndaj lodhjen dhe suksesin prej katër vitesh. Pa angazhimin e gjithsecilit do të ishte pothuajse e pamundur që në një kohë të shkurtër ne të mund të kthenim në produkte konkrete një pjesë të mirë të angazhimeve të marra në Programin e Qeverisë 2013 – 2017. E thashë dhe më lart që portofoli i Ministrisë së Zhvillimit Urban për shkak edhe të fushave që mbulon ka një sensitivitet shumë të lartë në jetën e qytetarëve. Është tashmë një fakt i pakontestueshëm që Shqipëria e vitit 2013 ngjante me një mendje të shpërndarë ku pluskonin ndërtime pa leje dhe atje ku nuk duhej ndërtuar, toka bujqësore, akse rrugore të uzurpuara, pra një panoramë ku mbizotëronte shkatërrimi, kaotizmi dhe çrregullsia. Ndaj dhe puna nisi me hapa të vegjël, duke rregulluar dhe përmirësuar së pari kuadrin ligjor në fushën e planifikimit dhe legalizimit të ndërtimeve informale dhe paralelisht me vendosjen e tre moratoriumeve të rëndësishme për të ndaluar rreptësisht ndërtimin në bregdet, në zona historike dhe kulturore dhe zona të rëndësisë kombëtare. Zhvillimi urban nuk është një proces më vete dhe i izoluar nga zhvillimi social dhe ekonomik, por një platformë e gjallë ku çdo vendimmarrje e pamenduar apo çdo veprim i paligjshëm rezulton në cënim të aseteve të përbashkëta qoftë kjo toka, hapësirat e përbashkëta apo potencialeve tona natyrore dhe kulturore. Rrugëtimi që do të ndërmerrnim në fushën e planifikimit, legalizimit të ndërtimeve pa leje, formalizimit dhe urbanizimit të vendbanimeve informale, strehimit do të ishte një proces sa sfidues aq edhe i bukur. E kam thënë shpesh që jam me fat si ministre që në këto katër vite jo vetëm kam drejtuar një institucion të ri, të krijuar për t’u përballur me sfidat e zhvillimit të territorit, zhvillimit urban, por dhe të punoj me një staf relativisht të ri në moshë, shumë energjik dhe kreativ. E falë kësaj sinergjie pozitive për t’i bërë gjërat mirë, me dashuri, përgjegjësi dhe mbi të gjitha si një ekip arritëm të ndërtonim dhe realizonim nisma, të cilat merrnin një formë të vërtetë dhe të prekshme për herë të parë në këto 25 vite.
Ministria juaj ka qenë aktive sidomos sa i përket zhvillimit të territorit, planifikimit, duke e nisur me Planin e Përgjithshëm Kombëtar, atë Tiranë-Durrës dhe Planin e Bregdetit dhe për ta vazhduar me asistencën për njësitë vendore për planet e tyre? Në thelb ju keni theksuar se zhvillimi i qëndrueshëm është vizioni. A e garantojnë këto dokumenta këtë zhvillim?
Ne zgjodhëm të hartojmë tre plane duke qëndruar vetë në krye të procesit pa e deleguar drejtimin e tij gjetkë. E kush më mirë se ne e njeh territorin, kupton mentalitetin apo dallon problemet e tij! Plani i Përgjithshëm Kombëtar dhe dy planet sektoriale shërbejnë si një kornizë referuese për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit për 15 vitet e ardhshme, me qëllim sigurimin e zhvillimit të balancuar ekonomik dhe social të vendit, menaxhimin e përgjegjshëm të burimeve natyrore të tij, mbrojtjen e mjedisit, duke siguruar njëkohësisht edhe përdorimin racional të tokës. Këto plane u hartuan brenda një periudhe 2-vjeçare me kontributin e shumë aktorëve, duke përfshirë ekspertë të ministrive dhe shumë ekspertë vendas e të huaj me të cilët kemi diskutuar gjerësisht. Të planifikosh nuk është vetëm të skicosh një hartë, por është të kuptosh shoqërinë, kulturën, traditën dhe trashëgiminë e një territori. Një territor që nuk përbëhet vetëm nga male, fusha dhe ujëra, por që formësohet nga komuniteti që e përdor këtë territor. Risia ka qënë që këto dokumenta i kemi prezantuar edhe me publikun në disa qytete të Shqipërisë. Sikur Shqipëria t’i kishte këto plane dy dekada më parë, sot do të kishim një realitet shumë ndryshe. Të tri planet kombëtare vendosin në balancë interesat zhvillimore për sot dhe gjatë 15 viteve në vijim, pa vënë në rrezik shfrytëzimin e potencialeve dhe burimeve natyrore edhe për brezat e ardhshëm. Të trija këto plane mishërojnë vizionin që ne e kemi quajtur “Shqipëria 2030”. Si dokumente strategjike ato hedhin bazat orientuese për mënyrën sesi do të zhvillohet territori duke ruajtur balancën e interesave zhvillimore mes sektorëve të ndryshëm që në mënyrë të integruar formësojnë zhvillimin ekonomik të vendit. Natyrisht, së pari këto dokumenta janë një detyrim ligjor. Plani i Përgjithshëm Kombëtar, ka qenë detyrim ligjor për t’u zbatuar që në vitin 2009, kur ligji i asokohe e përcaktonte si detyrim. Megjithatë, përveç arsyes së parë që lidhet me aspektin ligjor, tri planet kombëtare ishin një domosdoshmëri për t’u hartuar pasi vendi kishte nevojë të përcaktonte vizionin, politikat dhe rregullat për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit, duke e parë nga një këndvështrim kombëtar. Asnjëherë territori i Shqipërisë nuk ishte analizuar si një organizëm i plotë, përkundrazi mënyra sesi është planifikuar ka qenë shumë e fragmentarizuar. Prandaj këta tre instrumenta, shërbejnë si një platformë për investime të qëndrueshme publike dhe private, duke krijuar besimin dhe sigurinë e nevojshme për investitorët vendas e të huaj. Në fund të fundit, janë edhe një garanci shumë e fortë për mospërsëritjen e kaosit dhe informalitetit që ndër vite i ka sjellë shumë dëme ekonomisë së vendit. Me hyrjen në fuqi të këtyre instrumentave pas miratimit në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe miratimin në Këshillin e Ministrave në rastin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar, Shqipëria tashmë ka të ligjëruar kornizën referuese kombëtare për të gjitha planet e tjera me bazë territoriale të një hierarkie më të ulët. Siç janë planet rajonale apo planet vendore që po hartohen me mbështetjen e Qeverisë dhe donatorëve të huaj për bashkitë e dala nga reforma administrative-territoriale. Në përfundim, nuk dua të lë pa përmendur faktin se në punën tonë për hartimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar “Shqipëria 2030” ne i jemi referuar edhe objektivave makro të përcaktuara në Axhendën e Re Urbane 2030, të miratuar tashmë nga vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara ku bën pjesë edhe Shqipëria.
Procesi i legalizimit është një proces i zvarritur në vite dhe kultura e ndërtimit në mënyrë informale pa asnjë leje, ka qenë gjithmonë problematike. Ku jemi sot me këtë proces duke qenë se listës së përfituesve ju i shtuat edhe një kategori tjetër së fundmi? Sa legalizime do të kemi deri në fund të këtij mandati?
Një nga premtimet tona në vitin 2013 ishte reforma ligjore dhe institucionale që do t’i hapte rrugën përshpejtimit dhe lehtësimit të procesit të legalizimeve të ndërtimeve informale në mbarë vendin. Sigurisht që legalizimi i ndërtimeve informale nuk është aspak një proces i thjeshtë, por përkundrazi është një proces kompleks dhe që kërkon një bashkërendim të vazhdueshëm me institucione qendrore dhe ato vendore që merren me trajtimin e pronës. Me të drejtë, procesin e legalizimit do ta cilësoja si një nga reformat më të mira të ndërmarra në këtë mandat të parë të qeverisë Rama ku e gjithë puna është udhëhequr dhe drejtuar drejt qytetarit të thjeshtë. Në vitin 2013 gjetëm një vakum ligjor që nuk i përgjigjej aspak problematikave dhe çështjeve që lidheshin me ndërtimet informale në rang vendi. Nisur nga kjo veçori që ka procesi i legalizimeve ku çdo aplikim për legalizim duhet të trajtohet rast pas rasti, si dhe angazhimi ynë për t’i gjetur zgjidhje problematikave të trashëguara dhe mbartura ndër vite në shërbim të qytetarëve kemi përmirësuar ndjeshëm kuadrin ligjor. Gjatë këtyre tre viteve kemi miratuar 4 ligje dhe 24 vendime të Këshillit të Ministrave me propozim te Ministrise se Zhvillimit Urban, të cilat parashikojnë lehtësira qoftë administrative, por edhe financiare për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve për përmbylljen e procesit të legalizimit, pa përfshirë me dhjetëra vendime të Këshillit të Ministrave që rregullojnë kalimin e pronësisë dhe shpërblimin e pronarëve, pronat e të cilëve janë zënë nga ndërtime pa leje. Për t’i ardhur në ndihmë familjeve me vështirësi ekonomike kemi miratuar dhe po zbatojmë një skemë të qartë me lehtësira financiare. Sot, personat me statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik, me statusin e të verbërit, të cilët duan të legalizojnë banesat e tyre, nuk paguajnë më asnjë lek për legalizimin e banesës së tyre. Të gjithë familjet, të cilat kanë në përbërjen e tyre familjare statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik apo me statusin e të verbërit, iu zbritet detyrimi financiar për parcelën ndërtimore, në masën 50% nga vlera e llogaritur. Si edhe të gjithë personat, të cilët marrin ndihmë ekonomike përfitojnë zbritje në masën 30% nga vlera e parcelës e llogaritur. Në vitin 2016 me ndryshimet e miratuara në ligjin ekzistues për programet sociale dhe miratimin e vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave i dhamë të drejtën e pronësisë mbi shtëpinë dhe truallin 400 familjeve të shpërngulura në vitin 1994, për shkak të ndërtimit të ujëmbledhësit të Bovillës mbas një kalvari të gjatë pritje dhe sorollatje për plot 22 vite. Ndërkohë që me Vendimin nr. 19 të Këshillit të Ministrave ne i hapëm rrugën 30 mijë familjeve që kanë blerë banesat e tyre në palate, ku ndërtuesi apo investitori ka shkelur lejen e ndërtimit dhe që deri më tani e kanë pasur të pamundur të regjistrojnë pronën e tyre, të nisin procesin. Nga ALUIZNI janë identifikuar 1,320 pallate mbi 5 kate në të cilat nuk mund të kryhej procesi i hipotekimit të pronës së blerë me aq mund e sakrificë për asnjë nga banorët. Ajo çfarë unë dua të ritheksoj është se ne do të vijojmë edhe përgjatë këtij viti të trajtojmë me përparësi dhe rast pas rasti çdo problematikë dhe ngërç të pazgjidhur ndër vite, për t’i ardhur në ndihmë dhe ofruar shërbim të përshpejtuar me eficencë dhe transparencë për të gjithë qytetarët që janë në proces legalizimi. Sigurisht që ne deri më tani kemi përfunduar ashtu si edhe premtuam në fillim të këtij mandati legalizimin e ndërtimeve në zonat masive informale.
Një proces ky që po e vijojmë edhe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017 dhe deri më tani kemi përfunduar legalizimin e 100 mijë objekteve ndërtime pa leje. Ky proces që ne kemi realizuar në vetëm 32 muaj është një moment historik për zhvillimin social dhe ekonomik të vendit pasi të 100 mijë objektet e legalizuara janë tashmë pjesë të tregut të pasurive të paluajtshme, duke u kthyer në asete kapitale për qytetarët që më në fund morën titullin e pronësisë mbi banesën e ndërtuar me sakrificë.
Strehimi ka marrë një vëmendje të veçantë ku kemi një strategji 10-vjeçare, kemi një draft me programe që zgjeron bazën e përfituesve, por sjell edhe risi për përfshirjen e biznesit? Çfarë do të sjellë kjo kornizë ligjore, por edhe plan bashkëpunimi me biznesin, në lidhje me politikën sociale për të pastrehët? A do të jetë më e lehtë për të pasur një shtëpi nëse e krahasojmë me sot apo me të kaluarën?
Për herë të parë ne hartuam dhe miratuam Strategjinë e Strehimit Social 2016 – 2025 dhe Planin e Veprimit, një dokument që orienton dhe ofron zgjidhje konkrete dhe mundësi alternative për strehimin e familjeve me të ardhura të ulëta ose edhe pa të ardhura. Në këtë dokument një vëmendje e veçantë i kushtohet domosdoshmërisë së rregullimit të mekanizmave ligjorë për përfitimin nga programet e strehimit të grupeve në nevojë dhe fuqizimit të kapaciteteve të njësive vendore, në adresimin e saktë të kërkesave për strehim social dhe të përballueshëm për të gjithë shtresat dhe veçanërisht ato në nevojë. Ndaj dhe rishikimi i kuadrit ligjor ekzistues për strehimin social ishte dhe hapi ynë i parë që ndërmorëm menjëherë mbas miratimit të Strategjisë 10-vjeçare të Strehimit Social. Ne shumë shpejt do të fillojmë diskutimin e këtij projektligji edhe në komisionet parlamentare. Risia e këtij projektligji është pikërisht trajtimi në mënyrë eksplicite dhe garantimi i sa më shumë kategorive të shtresave në nevojë si përfituese nga programet e strehimit, për të realizuar në këtë mënyrë premtimin e programit tonë qeverisës të këtij mandati të parë. Që prej fillimit të punës tonë e kemi trajtuar strehimin jo vetëm si një objektiv social, por edhe si një të drejtë themelore të njeriut, duke iu përmbajtur si Deklaratës Universale të OKB-së për të drejtat e njeriut ashtu edhe Objektivave të Axhendës 2030 të OKB-së për Zhvillimin e Qëndrueshëm. Disa nga risitë me më shumë impakt të projektligjit që propozohet janë: dyfishimi i programeve të strehimit, (ku përfshihet edhe programi i strehave të përkohshme); dhënia e mundësive për të përfituar banesë sociale edhe familjet pa të ardhura apo me ndihmë ekonomike, nëpërmjet subvencionit, i cili do të jetë i kombinuar me fondet që MZHU planifikon me ato të bashkive; krijimi i pronarit social, si mundësi që subjektet private, duke hyrë në marrëdhënie me bashkinë, të japin me qira banesat e tyre; krijimi i fondit social (sigurimi i banesave si fond i përhershëm i bashkisë), rikonstruksioni i objekteve të dala jashtë funksionit të tyre fillestar dhe kthimi në fond banesash si dhe sigurimi i një strehimi të përshtatshëm për komunitetet vulnerabël. Gjithashtu, ne jo vetëm kemi rishikuar programet ekzistuese, por kemi shtuar dhe tre programe të reja, duke e zgjeruar në këtë mënyrë kategorinë e përfituesve në nevojë. Pra, në total do të jenë 6 programe: a) Programi i Banesave Sociale me Qira; b) Programi i Banesave me Kosto të Ulët; c) Programi i banesave ekzistuese ose i përmirësimit të kushteve deri në ndërtim të ri; d) Programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi; e) Programi i strehave të përkohshme dhe f) Programi i banesave të specializuara. Nëpërmjet programeve të reja ne u japim mundësi bashkive të krijojnë fondin e strehimit për të dhënë banesa sociale me qira, si edhe të përshtasin kërkesat për strehim të qytetarëve, në një nga këto programe, mbështetur rigorozisht në kushtet ekonomike, sociale dhe familjare të tyre. Projektligji për strehimin ashtu si dhe strategjia për strehimin social, janë një platformë e përbashkët pune për ministrinë tonë, për institucionet qendrore, për njësitë vendore dhe të gjithë aktorët e tjerë që kontribuojnë në këtë fushë. Gjatë këtij mandati të parë puna e bërë në fushën e strehimit social ka qenë e prekshme dhe me impakt në jetën dhe mirëqenien e qytetarëve. Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se nevojat për strehim nga qytetarët janë të mëdha dhe hendeku ndërmjet programeve të strehimit dhe nevojave reale për strehim të qytetarëve ka qenë shumë i madh. Për të minimizuar sa më shumë këtë hendek dhe për të mbështetur me programe konkrete, sado modest të ketë qenë buxheti i shtetit, kemi krijuar një model të qëndrueshëm të mbështetjes financiare për kategori të ndryshme të shtresave në nevojë. Këtu do të doja të përmendja shkurtimisht 4 programe buxhetore, të cilat kanë pasur një impakt të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve të strehimit për disa kategori qytetarësh dhe të cilat kanë filluar për herë të parë nga kjo qeveri. Programi për rikonstruksionin e banesave të komunitetit rom dhe egjyptian, i cili është në vitin e katërt të zbatimit. Falë këtij programi kanë përfituar për periudhën 2014 – 2016 një mijë e tetëqind e shatëdhjetë e gjashtë qytetarë të këtij komuniteti që jetojnë në kushte të përmirësuara jetese dhe mbi një mijë qytetarë që jetojnë në kushte më të mira higjieno-sanitare falë ndërhyrjeve në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza. Projektet janë zbatuar në 15 bashki të vendit dhe janë rikonstruktuar 469 banesa. Për vitin 2017 fondi i alokuar nga buxheti i Ministrisë është 140 milionë lekë. Ne jemi tashmë në fazën e miratimit të projekteve të depozituara nga bashkitë që do të përfitojnë financim direkt gjatë këtij viti dhe nga një vlerësim paraprak që stafi i drejtorisë së strehimit në ministri ka kryer me këtë fond do të mundësohet përmirësimi i kushteve të jetesës për mbi 300 familje të këtij komuniteti. Programi për banesat sociale pilotohet për herë të parë këtë vit dhe synon kthimin apo përshtatjen në banesa sociale të objekteve pronë e bashkisë. Është parashikuar që me fondin e alokuar në vlerën 120 milionë lekë të mundësohet strehimi i 135 familjeve në nevojë në bashki të ndryshme të vendit, të cilat do të aplikojnë me projekte pranë ministrisë. Bonusi i strehimit dhe Granti i Menjëhershëm janë dy mekanizma të tjerë financiarë të riaktivizuar për herë të parë në vitin 2016.
“Për vitin 2016 përfituan Bonus Strehimi/pagesën prej 50% të qirasë minimale të tregut tetëdhjetë e nëntë familje në 8 bashki të vendit nga të cilat njëzet e nëntë familje me gra kryefamiljare. Me buxhetin e alokuar për vitin 2017 do të vijojmë mbulimin e qirasë në masën 50 deri në 100% të vlerës edhe për 210 familje të reja nëpërmjet instrumentit financiar të Bonusit të Strehimit.”
Ndërkohë Grant të Menjëhershëm, tridhjetë e pesë familje me statusin e jetimit apo Personave me Aftësi të Kufizuar në 8 bashki. Gjithashtu, për vitin 2017 do të garantojmë ofrimin e Grantit të Menjëhershëm për shlyerjen e kredisë së përfituar të banesës me kosto të ulët në masën 5 – 10% të vlerës së banesës për 20 familje me statusin e jetimit apo person me aftësi të kufizuar. Në thelb, shtimi i numrit të programeve sociale për strehim, zgjerimi i listës së kategorive prioritare, sikurse dhe gjetja instrumenteve e mënyrave të reja për financim për krijimin e një fondi publik të banesave sociale është një siguri që më shumë familje të pastreha do të gjejnë zgjidhje të problemit të tyre, në një kohë më të shkurtër dhe me një cilësi më të mirë. Veçanërisht grupet në pozita të pafavorizuara, pa të ardhura, për të cilat është parashikuar subvencionimi i masës së qirasë deri në 100% të vlerës, për të cilat është parashikuar gjithashtu edhe fakti që do të asistohen nga bashkitë për sigurimin e dokumentacionit të nevojshëm për aplikim.
Jeni duke diskutuar me PNUD për një projekt mbi krijimin e një baze të dhënash për banesat në vend dhe kushtet e tyre. Mund të kemi disa të dhëna më shumë se çfarë synon ky projekt?
Së pari, do të doja të shtoja që Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara ka qenë një nga bashkëpunëtorët tanë më të afërt në realizimin e disa produkteve konkrete në fushën e strehimit. Në vijim të punës së bërë paralelisht me hartimin dhe miratimin e Strategjisë së Strehimit Social, sikurse dhe pas reformës territoriale, me qëllim evidentimin e situatës sa më reale në rang vendi në lidhje me strehimin social, si dhe për të pasur një pasqyrë sa më të detajuar të situatës, MZHU me mbështetjen e PNUD nisi projektin për hartimin e një raporti/studimi mbi situatën e strehimit social në Shqipëri. Për mbledhjen e informacionit të nevojshëm u hartua një pyetësor online. Gjatë periudhës janar-shkurt 2016, u organizuan seanca trajnimesh ku 61 bashkitë u prezantuan me këtë pyetësor. Gjatë këtyre seancave u diskutuan çështjet e trajtuara në pyetësor. Si rezultat i komenteve të marra, u realizua versioni final i pyetësorit i cili iu dërgua bashkive për plotësim. Gjatë kohës që iu caktua bashkive për plotësim, u zhvillua një sesion i dytë trajnimesh për të ndjekur nga afër procesin dhe për të zgjidhur probleme të ndryshme të hasura gjatë plotësimit. Plotësimi i informacionit nga të 61 bashkitë, për periudhën kohore 2011 – 2016 përbën një veçori të rëndësishme të studimit sepse mundëson një analizë statistikore të shtrirë në kohë. Në këtë mënyrë studimi synon t’u japë përgjigje pyetjeve të rëndësishme si: A ka pësuar rritje apo zbritje kërkesa për strehim? A kanë ardhur investimet për strehim social duke u rritur? Ky raport jep informacion edhe për çështje të tjera që influencojnë tek performanca e njësive vendore për sa i përket strehimit social. Të tilla çështje që trajtohen në studim janë sistemi i pikëzimit, sistemi i të dhënave, inventari i banesave dhe truallit dhe nevoja e autoriteteve vendore për programe për ngritjen e kapaciteteve. MZHU vijoi punën për vizualizimin e të dhënave të grumbulluara gjatë fazës së parë, me qëllim aksesimin e këtij informacioni nga palët e interesuara, sikurse dhe publiku i gjerë. Konkretisht, fillimisht u realizua ndërtimi i një ndërfaqeje dhe përcaktimi i menusë së navigimit, të cilat në një fazë tjetër u aktivizuan për të qenë funksionale individualisht, sikurse dhe interaktive ndërmjet tyre, me qëllim që në përfundim, çdo i interesuar të mund të aksesojë dhe eksplorojë informacionin në lidhje me indikatorë të ndryshëm, në mënyrë individuale apo dhe konvergjuese mes tyre, për: të dhënat për situatën e të pastrehëve; Të dhënat për sistemin e të dhënave; Të dhënat për sistemin e pikëzimit; Inventarin e truallit në dispozicion të bashkive; Të dhënat për buxhetin e strehimit social; Të dhënat për ngritjen e kapaciteteve. Të gjitha do të shoqërohen edhe me një paraqitje minimale dhe bazike në hartë (vizualizimi), sikurse do të shoqërohen edhe me gjetjet e raportuara nga faza e mëparshme e këtij projekti të zhvilluar me asistencën e PNUD, nga vjelja dhe analiza e të dhënave të grumbulluara nga 61 bashkitë.
Standardet në ndërtim jo gjithmonë janë respektuar ndërkohë që kemi parë një përpjekje për të përmirësuar kronizat ligjore. Ku jemi sot me këtë aspekt?
Kur flasim për standarde në ndërtim apo projektim, besoj se të gjithë jemi dakord se në këto 25 vite në këtë sektor është bërë thuajse asgjë. Duke pasur parasysh gjithë problematikën dhe mangësitë që ka pasur legjislacioni shqiptar ndër vite, lidhur me fushën e ndërtimit, Ministria e Zhvillimit Urban që prej krijimit të saj është angazhuar në përmirësimin e kuadrit ligjor në fuqi lidhur me rregulloret dhe standardet e projektimit në vendin tonë, me qëllim vendosjen e rregullave në funksion të rritjes së cilësisë së produktit në fushën e ndërtimit dhe të përmirësimit të cilësisë së jetës, sigurisë dhe shëndetit të qytetarëve. Me një buxhet minimal në këto vite u hartuan: normativat e projektimit të banesave, normativat e projektimit të çerdheve, normativat e projektimit të kopshteve dhe shkollave, rregulloret teknike “Për Projektimin dhe Ndërtimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë”, manualin e tarifave për shërbime në planifikim territori, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim, përshtatjen e Eurokodeve 4, 6, 7 dhe pjesërisht Eurokodin 8, me anekset kombëtare. Përshtatja e Eurokodeve, plotësimi i tyre me anekset kombëtare, dhe përdorimi i tyre si standarde ligjore, i shërben rritjes së cilësisë së ndërtimeve në drejtim të qëndrueshmërisë strukturore, si edhe marrjes së masave konkrete në drejtim të shmangies së rrezikut nga tërmetet

Rilindja Urbane është një ndër projektet që ju e keni ndjekur me vëmendje të veçantë. Kjo ka synuar që të sjellë ndryshim në qendrat e qyteteve. A do të kemi edhe një projekt të ngjashëm për zonat rurale, ndoshta jo në të njëjtat dimensione, por me të njëjtin vizion?
“Projektet e Rilindjes Urbane, i kanë ndryshuar fizionominë qyteteve dhe bashkive, duke pasur impakt në zhvillimin e biznesit, sipërmarrjes së vogël dhe mirëqenies së qytetarëve edhe në ato qytete apo bashki që ishin harruar prej vitesh. Këtu mund të përmendja Skraparin, Tropojën, Pukën, Malësinë e Madhe, Kukësin, Burrelin, Kavajë, Krujën. Belshin, Gramshin, Librazhdin, Divjakën, Velipojën, Orikumin, Selenicën.”
Programi Kombëtar i Rilindjes Urbane nisi zbatimin e tij në vitin 2014, pikërisht andej nga i ka rrënjët zhvillimi i çdo qytetërimi. Nisi, nga rehabilitimi i qendrave të qyteteve, me projekte konkrete të rehabilitimit të shesheve, parqeve, infrastrukturës urbane, duke u shtrirë më pas edhe në lagjet apo zonat e banuara brenda territorit të 61 bashkive të reja. Më vjen shumë mirë të them që, nga puna që kemi bërë në këto tre vite, kemi parë që çdo vit është rritur cilësia e projekteve, jo vetëm nga ana arkitekturore, por edhe nga ana e impaktit të zhvillimit ekonomik e social të bashkive. E gjithë kjo përvojë pune, e Rilindjes Urbane, në fakt na ka mësuar shumë. Na ka mësuar që projektet mund të dizenjohen, mund të hartohen në mënyrë të tillë që të kenë një impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Projektet e financuara janë ato që vetë bashkitë kanë identifikuar si prioritare, në bashkëpunim të ngushtë edhe me qytetarët. Janë 334 projekte të infrastrukturës vendore nga veriu në jug, nga bashkitë e mëdha e deri tek ato më të voglat, të cilat u financuan dhe u zbatuan në harkun kohor të vetëm dy viteve (2014 – 2016) nëpërmjet Fondit për Zhvillimin e Rajoneve, një instrument financiar tashmë tërësisht i riformatuar për t’i dhënë frymëmarrje zbatimit të çdo projekti. Projektet e Rilindjes Urbane, i kanë ndryshuar fizionominë qyteteve dhe bashkive, duke pasur impakt në zhvillimin e biznesit, sipërmarrjes së vogël dhe mirëqenies së qytetarëve edhe në ato qytete apo bashki që ishin harruar prej vitesh. Këtu mund të përmendja Skraparin, Tropojën, Pukën, Malësinë e Madhe, Kukësin, Burrelin, Kavajë, Krujën. Belshin, Gramshin, Librazhdin, Divjakën, Velipojën, Orikumin, Selenicën. Për një panoramë më të përgjithshme projektet e financuara dhe zbatuara kanë qenë të një game shumë të gjerë nga ku do të përmendja: 102 projekte për rivitalizimin e qendrave urbane si: projektet e qendrës së Durrësit, qendrës së Korçës, shëtitores së Elbasanit, qendrës së Lushnjes, qendrës së Kukësit, shëtitores së Lezhës, qendrës së Kavajës, qendrës së Tamarës në Malësi të Madhe; 29 projekte për rehabilitimin e hapësirave të gjelbra, kënde lojrash për fëmijë dhe objekte kulturore publike. Këto projekte u zbatuan në bashkitë Gjirokastër, Berat, Korçë, Durrës, Sarandë, Gramsh, Burrel; 171 projekte të infrastrukturës urbane, duke shkurtuar distancat mes qendrave urbane dhe atyre rurale, mundësuar zhvillimin e bizneseve të reja, si dhe rigjenerimin urban të lagjeve dhe zonave të banuara, duke krijuar kështu më shumë hapësira publike dhe rekreative për qytetarët e të gjithë grupmoshave; 13 projekte zhvillimore të infrastrukturës turistike, në bashkitë Vlorë; Himarë, Pogradec, Qeparo, Skrapar; 5 projekte të përmirësimit të zonave të biznesit si Projekti i Pazarit të Korçës, Beratit, Gjirokastrës; 11 projekte për rehabilitimin e zonave rrotull kalave dhe zonat monumentale, si dhe 3 projekte pilot, modele zhvillimi dhe integrimi të komuniteteve në këto zona në tre qytete Vlorë, Lushnjë dhe Durrës. Projektet, padyshim, kanë ruajtur identitetin e bashkive, e qyteteve, për të cilat janë realizuar projektet, duke i dhënë një impuls të ri zhvillimit të këtyre qyteteve. Nga të dhënat që marrim, jo vetëm që qytetarët janë të kënaqur, por edhe numri i vizitorëve vendas apo të huaj, në qytetet tona është rritur, duke nxitur kështu edhe zhvillimin e biznesit lokal.
“Është e vërtetë se punën e nisëm në vitin 2014 duke nxitur dhe inkurajuar zhvillimin e qendrave të qyteteve, por larmia e projekteve që kemi mbështetur dhe kemi realizuar ka qenë e shumtë, këtu theksoj se nga qendrat e qyteteve, është kaluar në blloqe banimi, është kaluar në zona rurale, në rrugët lidhëse, në tregje, duke nxitur edhe zvogëluar, në fakt diferencat mes zonave rurale dhe urbane.”
Të gjitha këto ndërhyrje ndikojnë drejtpërdrejt, jo thjeshtë në një formë dhe mënyrë të re edukimi estetik, për qytetarët, por nga ana tjetër, nxisim shumë kohezionin social zhvillimin e qëndrueshëm në këto zona, duke i paraprirë më tej zhvillimit të tyre. Ndaj dhe ndërhyrjet e kryera i kanë shërbyer më së miri zhvillimit të biznesit lokal dhe mirëqenies sociale të qytetarëve, në ruajtje të vlerave arkitektonike, kulturore dhe historike pa i humbur identitetin qyteteve tona.
Disa nga proceset që janë nën monitorim apo zbatim të ministrisë janë të lidhura ngushtë me njësitë vendore, flasim për legalizime, strehim, planifikim urban. Këto njësi dolën nga një reformë e re territoriale. Si ka qenë bashkëpunimi me to në këndvështrimin tuaj dhe ku duhet të kemi theks në vazhdim?
Pas miratimit të reformës administrative-territoriale dhe krijimit të bashkive të reja në vitin 2015, Ministria e Zhvillimit Urban ndërmori menjëherë nismën për të mbështetur financiarisht dhe me ekspertizë teknike, 26 bashki të cilat hartuan planet e përgjithshme vendore gjatë vitit 2016. Planet vendore janë dokumentet që do të udhëheqin zhvillimin e territorit të këtyre bashkive, investimet publike e private, mbrojtjen dhe ruajtjen e natyrës dhe trashëgimisë historike e kulturore. Përveç 26 PPV-ve që u mbështetën nga Qeveria Shqiptare, në procesin e planifikimit të territoreve vendore, ndihmë kanë dhënë edhe organizatat ndërkombëtare si USAID, nëpërmjet Programit për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore dhe Ambasada e Zvicrës nëpërmjet Programit për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal. Secili program ka marrë përsipër ndihmën financiare dhe teknike respektivisht për hartimin e 5 planeve vendore. Programi i USAID ka filluar procesin e asistencës më herët dhe tashmë ka finalizuar procesin edhe me miratimin në Këshillin Kombëtar të Territorit të 5 planeve vendore për bashkitë Elbasan, Fier, Berat, Lushnje dhe Kuçovë. Ndërsa programi i Qeverisë Zvicerane ka nisur më vonë dhe pritet të finalizojë në gjysmën e parë të vitin 2017 asistencën për hartimin e 5 planeve vendore per bashkitë Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Tropojë, Mat e Klos. Për shumë nga bashkitë, ky ishte një proces që ndodhte për herë të parë. Duke marrë gjithashtu në konsideratë faktin se në shumë raste bashkive u mungonin kapacitetet e nevojshme për të administruar një proces kaq kompleks e të rëndësishëm, asistenca e ofruar nëpërmjet ekspertëve vendas e të huaj ishte e rëndësishme jo vetëm gjatë kohës së hartimit, po edhe për t’iu përcjellë njohuritë e duhura stafeve teknike për zbatimin e planeve vendore në të ardhmen. I gjithë ky proces nuk ka qenë në vetvete vetëm realizim i një detyre planifikimi në përputhje me kërkesat e ligjit, po edhe një proces shumë organik e gjithëpërfshirës konsultimi me shumë aktorë që ka ndihmuar edhe në rritjen e kapaciteteve të stafeve teknike të bashkive. E gjithë puna është monitoruar dhe asistuar rigorozisht nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, që ka përballuar një volum të madh pune në një kohë të shkurtër. Për të mbërritur deri këtu procesi ka qënë tejet kompleks, por jam e kënaqur që më në fund arritëm ta përmbyllim me sukses dhe tashmë numri i bashkive që kemi mbështetur është 43. Sfida që kemi përpara tani fill pas miratimit, do të jetë monitorimi dhe nxitja për zbatimin e këtyre instrumenteve, për të garantuar që zhvillimi urban, ekonomik dhe social, të jetë sa më i qëndrueshëm. Mbetem besimplotë se frutet e këtij procesi dhe zbatimi i planeve vendore, do të sjellë impakt shumë të prekshëm për qytetarët dhe grupet e biznesit, si dhe padyshim do të lehtësojë bashkitë për të operuar normalisht me procedurat e lejeve të zhvillimit, mbështetur në instrumente planifikimi të ligjëruara.
Nertila Maho/SCAN MAGAZINE
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.