Gjermeni: Strehimi Social, me programet tona duam të rrisim numrin e përfituesve. Po promovojmë PPP në këtë sektor
Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni ishte sot pjesëmarrëse në një workshop ku u diskutua për programin e strehimit social. Gjatë këtij takimi ishin pjesëmarrës dy ekspertë të TAIEX (Instrumentit për Asistencë Teknike dhe Shkëmbimit të Informacionit të Komisionit Europian), të cilët po asistojnë Qeverinë Shqiptare në shumë sektorë, mes të cilëve edhe strehimin.
Dy ekspertët e TAIEX, Wolfgang Amann dhe Christian Zenz po japin asistencën teknike austriake në fushën e implementimit të politikave sociale dhe gjetjen e zgjidhjeve alternative për strehim.
Ministrja e Zhvillimit Urban, në fjalën e saj theksoi rëndësinë e eksperiencës austriake, për një implementim sa më të mirë dhe të suksesshëm të strategjisë së strehimit social.
“Programet tona të strehimit social synojnë të kenë një impakt të ndjeshëm në popullsi, të rrisin numrin e përfituesve dhe cilësinë e shërbimeve ndaj kategorive që nuk duhet të jenë vetëm familjet në nevojë. Me projektligjin e ri të strehimit social që miratohet së shpejti, ne kërkojmë të nxisim dhe promovojmë partneritetin publik privat në sektorin e strehimit. Ndaj dhe eksperienca e Austrisë në këtë drejtim do të kishte shumë vlerë për ne”, tha ministrja Gjermeni në fjalën e saj.
Në takimin 4 ditor që po organizohet në Tiranë, po diskutohet mundësia e implementimit në Shqipëri të modelit austriak të strehimit, ripërdorimi i ndërtesave të braktisura, të vjetra apo të degraduara dhe kthimi i tyre në struktura të përshtatshme për strehim social apo përdorimin e elementëve të eficiencës së e energjisë në banesat sociale.
Osman Dedja/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.