Gjetjet e studimit suedez për policinë, Çuçi: “Sipas perceptimit të shqiptarëve jemi pranë mesatares së BE”
Në daljen e parë për mediat pas marrjes së detyrës, Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, zgjodhi të prezantojë gjetjet e një anketimi të qeverisë suedeze mbi perceptimin e shqiptarëve për Policinë e Shtetit. Sipas Çuçit, ndër gjetjet kryesore të raportit është se shumica dërrmuese e shqiptarëve aprovojnë punën e Policisë së Shtetit.
“66% e publikut mendon se Policia e Shteti po bën një punë të mirë krahasuar kjo me 36% në vitin 2013. Shikoni se çfarë ndryshimi drastik! Gati dyfish ka pësuar perceptimi që policia bën mirë punën e vet, krahasuar me 2013-ën”, tha ministri Çuçi. 80% e të intervistuarve deklarojnë se ndihen të sigurt kur ecin vetëm në lagjen e tyre pasi është errësuar. Kjo theksoi ministri Çuçi është një pyetje e rëndësishme për të kuptuar se Policia e Shtetit jep garanci tek publiku.
Një pikë tjetër e trajtuar në këtë studim është çështja e ryshfetit në radhët e Policisë së Shtetit, ku vihet re një përmirësim i ndjeshëm.
Publiku e vlerëson Policinë e Shtetit me notë mesatare 54. Ka përmirësim të dukshëm krahasuar me vitin 2013 kur ishim në të njëjtin nivel me Ukrainën, 74%. Sot jemi disa vende pranë mesatares së BE-së.
Të pyetur lidhur me trajtimin me respekt nga ana e Policisë së Shtetit, Shqipëria është në nivelin e 58%, vetëm 5% larg mesatares së Bashkimit Europian që është në 63%.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.