Gjigandi teksan i naftës “Exxon Mobil” kërkon leje për të shmangur sanksionet ndaj Rusisë

“Exxon Mobil” po kërkon leje për të shpuar për naftë në Detin e Zi, çka është e ndaluar nga sanksionet e SHBA-së ndaj Rusisë. Raportimi i “The Wall Street Journal’ thotë se kompania ka aplikuar muajt e fundit në Departamentin e Thesarit për një heqje të sanksionit që e ndalon të bashkëpunojë më prodhuesin rus të naftës Rosneft.
Ajo që e bën një kërkesë të tillë të marrë vëmendje është sepse sekretari i Shtetit Rex Tillerson është ish-drejtuesi ekzekutiv i kompanisë.
“Exxon” ka refuzuar të japë komente mbi çështjen, pasi sipas zëdhënësit të saj, kompania nuk flet për diskutimet që po bën me rregullatorët. Megjithatë ai tha se në të shkuarën Thesari i ka dhënë lejen “Exxon” të mbajë të paprekur sipërmarrjen e përbashkët me “Rosneft”, pavarësisht sanksioneve.
Sipas aksionerëve të kompanisë, ajo ka marrë licenca për “veprime administrative të kufizuara” në Rusi, të paktën tre herë gjatë vitit 2015 dhe 2016.
Sanksionet hynë në fuqi në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë. “Exxon”-it, që është kompania prodhuese më e madhe në botë për naftën e tregtuar, iu lejuar të mbaronte disa projekte shpimi që kishte nisur, gjatë kohës që sanksionet hynë në fuqi.
Strategjia e partneritetit mes “Exxon” dhe “Rosneft” e vitit 2012 përfshin investimin e 500 miliardë dollarëve për zhvillimin e rezervave të energjisë në Arktik dhe Detin e Zi.
Nëse kompania teksane do të marrë një leje për një nismë të tillë, ajo do të hasë kundërshtimet e ligjvënësve amerikanë, si edhe të Bashkimit Europian që i druhet një lëshimi të sanksioneve ndaj Rusisë nga administrata Trump.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.