Gjigandi turk vjen në Shqipëri- Hapet showroom i “Tepe Home” në Tiranë
“Tepe Home Albania”, i vetmi showroom në botë jashtë kufijve turke i gjigandit “Tepe Home”, është sjellë për të parën herë në Shqipëri. Inaugurimi u mbajt në ambientet dykatëshe të showroom-it ku ishin të pranishëm Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduart Shalsi, Murat Ahmet Yörük, Ambasadori i Republikës Turke në Tiranë, Levent Capan, Administratori i përgjithshëm i kompanisë Tepe Home në Turqi dhe dhjetëra profesionistë vendas dhe të huaj.
“Më duhet të vë në dukje se vitin e kaluar kur Tepe Home festonte 50 vjetorin e saj në Turqi ne filluam bisedimet dhe më pas negociatat për të bërë të mundur hapjen e këtij salloni në Tiranë. Ajo që na shtoi dëshirën për këtë bashkëpunim ishte cilësia e punës, dizajni i bukur, materialet cilësore, makineritë moderne dhe stafi i specializuar” u shpreh Arben Canole, drejtues i projektit.
Administratori i Përgjithshëm i kompanisë “Tepe Home”, Levent Capan, shpjegoi se në Turqi, të gjitha fitimet e “Tepe Home” shkonin për të financuar studimet e të rinjve, si dhe shpjegoi se si ky bashkëpunim kishte lindur.
“Ne jemi një kompani në rritje dhe po kërkojmë të zgjerohemi, por jemi shumë përzgjedhës në bashkëpunimet që bëjmë. Kjo sepse për ne emri i kompanisë është shumë i çmueshëm dhe çdo fitim shkon për edukim, pasi edukimi është çelësi i çdo gjëje. Ne gjetëm bashkëpunëtorë që mendojnë sikurse ne dhe kjo është arsyeja që ky bashkëpunim u mbyll me sukses” theksoi Levent Capan, administrator i përgjithshëm i “Tepe Home” në Turqi.
Profesionistët e pranishëm patën mundësinë të njiheshin nga afër jo vetëm me historikun 50 vjeçar të markës prestigjioze “Tepe Home”, por edhe të njiheshin me produktet e tyre nga afër.
“Unë e kam dëgjuar ‘Tepe Home’ që është një firmë shumë e njohur në Turqi mobiliesh dhe isha shumë kurioze për të parë se çfarë ka ardhur në Tiranë. Së fundmi kemi hyrë në një shtëpi të re kështu që jam e interesuar” tha Merita Rexha Tërshana, pianiste.
“Ka një stil goxha interesant kështu që mendoj që do të sjellë ndoshta një frymë të re në arredimin vendas” u shpreh Anerta Madani, arkitekte.
“Një inaugurim shumë dinjitoz. Banka Credins në bashkëpunim me ‘Tepe Home’, për të gjithë klientët ofron kredi me 0% interes për produktet që janë të ekspozuar në këtë showroom. Gjithashtu mund të bëjnë pagesa edhe me këste nëpërmjet kartës së kreditit” nënvizoi Brunilda Mata, drejtore dege, Banka Credins.
Showroom-i dykatësh i “Tepe Home Albania” ndodhet në kilometrin e 11-të në autostradë, në godinën e Emigres. Eventi u shoqërua me një sërë lojërash, ku të ftuarit, pas shorteve morën edhe dhurata.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.