Gjiknuri inspekton akset rrugore – Në fund të vitit përfundon aksi Lin-Pogradec

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, inspektoi ecurinë e punimeve në dy prej kantiereve të rëndësishme në Qarkun e Korçës.
Ndalesa e parë ishte në aksin rrugor Korçë-Ersekë ku ministri Gjiknuri njoftoi se shumë shpejt do të kryhen procedurat për fillimin e punës së Lotit të dytë të kësaj rruge.
“Jemi tek pjesa e fundit e lotit të parë Korçë-Ersekë. Siç po shikohet, këtu është pjesa fundore e rrugës e cila gati ka përfunduar. Ka edhe një pjesë punimesh që po zhvillohet në dalje të Korçës. Pikërisht, këtu do të jetë edhe nyja lidhëse me rrjetin ekzistues dhe shumë shpejt fillimi i projektit të ri, loti i dytë i rrugës Korçë-Ersekë ku Bashkia e Kolonjës do të lidhet përfundimisht me rrjetin kombëtar rrugor. Këto punime do të përfundojnë shumë shpejt dhe besoj vitin tjetër do të bëhen procedurat për të filluar punimet pjesa tjetër, pra pjesa e dytë e rrugës drejt Kolonjës”, u shpreh ministri Gjiknuri.
Puna po vazhdon edhe në një tjetër kantier, atë të aksit rrugor Lin-Pogradec për të cilin do të akordohen edhe fonde të tjera nga rialokimet e këtij fundviti.
Ministri Gjiknuri gjeti rastin të nxisë kompanitë të ecin përpara drejt përfundimit në kohë të veprës.
“Nga ana tjetër dua të ju siguroj se pjesa e financimit nuk do të mungojë. Strategjia e qeverisë shqiptare është të mos hapë më rrugë të cilat janë të pa financueshme por të përfundojmë të gjitha këto vepra të nisura prej vitesh. Me financimin që do të sigurojmë, do ta mbyllim pjesën e asfaltit dhe do të mbetet vetëm pjesa e tunelit, besoj nga vjeshta e vitit tjetër do të jemi në gjendje që kjo rrugë të jetë e përfunduar. Do të përfundojmë rrugët e nisura, do të hapim ato rrugë që janë të financueshme dhe çdo projekt që do të hapet do të jetë i financueshëm. Nuk do të ketë më projekt që do të mbetet zvarrë”, nënvizoi Gjiknuri.
V.H/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.