Gjiri i Lalzit, Gjiknuri: Impianti i ujërave të zeza vihet në funksion në 2019

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri së bashku me Drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve Arben Skënderi, kanë inspektuar punimet e ndërtimit të ujësjellës-kanalizimeve në Gjirin e Lalzit.
Dy projektet që po zbatohen në këtë zonë të cilat iu vijnë në ndihmë rreth 30 mijë banorëve kapinë vlerën e 13 milionë eurove. Projekti i parë lidhet me ndërtimin e kolektorit kryesor të ujërave të zeza dhe Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Përdorura, për të cilin Gjiknuri tha se do të përfundojë në vitin 2019. Ndërkohë, projekti i dytë përfshin ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit.
“Me përfundimin e këtij impianti i cili do të vihet në funksionim në vitin 2019, e gjithë kjo zonë nuk do të ketë më probleme me trajtimin e ujërave te zeza. Do kemi një zgjidhje me një teknologji të fundit, projekti i bërë është ndër me bashkëkohorët. Realisht i jep një zgjidhje përfundimtare gjithë kësaj zone dhe i shërben gati 30 mijë banorëve të cilët do të lidhen me këtë rrjet.”
Ministri vijoi më tej duke u ndalur te reforma e ujit të pijshëm, duke u shprehur se rivendosja e ligjshmërisë në këtë sektor do të mundësojë shtimin e investimeve, veçanërisht në zonat me potencial turizmi.
“Qeveria shqiptare, në vazhdën edhe të aksionit që ka nisur për një mirëadministrim të sistemit të ujit që është i lidhur me kanalizimet, pikërisht këtë ka qëllim, rritjen e performancës ekonomike. Rritja e arkëtimeve, shëndoshja financiare e gjithë sektorit, në mënyrë që të kemi investime aq të nevojshme duke filluar nga zona që kanë potencial më të madh ekonomik siç janë zonat me përparësi turizmi”, tha Gjiknuri.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.