Gjoba për sigurinë ushqimore. Në muajin prill AKU bllokon dhe asgjëson 180 ton produkte për konsum
Vetëm për muajin Prill, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka paralajmëruar 718 subjekte për shkak të konstatimit të shkeljeve me kushtet e sigurisë ushqimore, ka vendosur 56 masa gjoba me vlerë rreth 12 milionë lekë dhe ka marrë 7 masa për ndërprerje aktiviteti të operatorëve të biznesit.
Referuar të dhënave zyrtare të këtij institucioni, shkeljet e evidentuara lidhen kryesisht tregtimin e produkteve jashtë afateve të përdorimit, mungesë e sistemit të gjurmueshmërisë, mangësi në kushtet higjeno-sanitare, tregtim produkti mish i pa pajisur me certifikatë veterinare dhe vulë, mungesë në dokumentacion shoqërues të importit, mos etiketim në gjuhën shqipe, etj.
Po ashtu, referuar kontrolleve zyrtare, përgjigjeve të raport-analizave dhe kërkesave të operatorëve të biznesit, janë bllokuar për 50 ton produkte të ndryshme, si mish dhe nënprodukte të tij, pije alkoolike dhe joalkoolike, farëra, kripë, janë asgjësuar 135.5 ton produkte të tilla, si dhe janë kthyer në në vendin e origjinës 3 ngarkesa me sasi totale 51.9 ton produkte si mish pule, çokokrem, vafer, lëngje frutash , çokollata, miell, patatina etj.
Vetëm një ditë më parë, kryeministri Edi Rama paralajmëroi ndryshime në Kodin Penal dhe dënim deri në 10 vjet burg për këdo që abuzon me sigurinë ushqimore.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.