Gjoba për tregun ushqimor – Gjykata rrëzon ankesën e EKMA Albania
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë hodhi poshtë të martën kërkesën e kompanisë EKMA Albania, që kërkonte rrëzimin e vendimit të Autoritetit të Konkurrencës për gjobë dhe vendosjen e masave të përkohshme. Vendimi i hap rrugë ekzekutimit të vendimit, që u mor në muajin nëntor.
Autoriteti i Konkurrencës gjobiti me 400 mijë euro kompaninë që administron tregun e shumicës së produkteve agro-ushqimore në Tiranë. Pas hetimit të kryer, Autoriteti i Konkurrencës arriti në përfundimin se EKMA Albania, që mban monopolin e magazinimit dhe tregtimit me shumicë të fruta-perimeve në Tiranë, shfrytëzon pozitën e saj monopoliste për të siguruar fitime të padrejta ndaj subjekteve që marrin me qira ambiente për të magazinuar dhe tregtuar produkte ushqimore.
Kompania është ndëshkuar me një gjobë në masën 9.99% të xhiros së vitit paraardhës, që ishte rreth 4 milionë euro në total. Hetimi i Autoritetit të Konkurrencës, i mbështetur edhe nga Gjykata, evidentoi se EKMA Albania aplikon çmime qiraje shumë të larta krahasuar me mesataren e zonës gjeografike.
Gjithashtu, në kontratat e qirasë me subjektet që shfrytëzojnë ambientet e tregut, janë vendosur kushte diskriminuese dhe që nuk sigurojnë barazinë e palëve, në kundërshtim me ligjin dhe zakonet e mira tregtare.
Për shkak të shkeljeve të mësipërme, EKMA Albania arrin të sigurojë norma fitimi neto tejet të larta, në gati 65%, të pakrahasueshme aktualisht me asnjë ndërmarrje tjetër që vepron në tregun shqiptar.
Në vendimin e nëntorit, Autoriteti ka urdhëruar qiradhënësin të aplikojë çmime të orientuara drejt kostos dhe çmimit mesatar të qirasë së zonës, si edhe të jetë transparent në detajimin e zërave që përfshihen në faturën e qirasë së ambientit.
Në rast se ndërmarrja EKMA Albania nuk zbaton detyrimet e vendimit, Komisioni i Konkurrencës do të vendosë gjoba periodike deri në 5 % të xhiros mesatare ditore të vitit financiar paraardhës.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.