Gjobiten 12 gurore për shfrytëzimin e gurit dekorativ – Klosi inspektim në Malin e Tomorrit
Gjatë një inspektimit në terren, ku ishte dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Z. Blendi Klosi janë gjobitur dhe pezulluar 12 guroret që ushtronin aktivitet për shfrytëzimin e gurit dekorativ në Malin e Tomorrit.
Përveç gjobitjes dhe revokimit të lejes mjedisore, ministri Klosi tha se i gjithë dokumentacioni i tyre do të kalohet në sitë dhe sipas shkeljeve të konstatuara do të merren masa të ashpra deri në ndjekje penale.
“Janë evidentuar nga inspektoriati plot 12 gurore vetëm në këtë zonë të cilat janë krejtësisht jashtë çdo parametri mjedisor dhe shfrytëzojnë këto leje minerare në mënyrë krejtësisht të paligjshme. Prandaj Inspektoriati i Mjedisit do të marrë masa duke i gjobitur ato që sot, duke kërkuar revokimin e lejeve mjedisore për të 12 subjektet dhe po ashtu duke parë të gjitha mundësitë që të 12 subjektet të kalojnë edhe për ndjekje penale”, tha ministri Klosi.
Kreu i Turizmit dhe Mjedisit, paralajmëroi se nuk do të tolerohet më asnjë biznes që shkel ligjet në fuqi dhe se ka ardhur koha që bizneset të zhvillohen në respekt të mjedisit dhe komunitetit.
Ai e cilësoi të pafalshëm dëmin e krijuar në një nga malet më të vizituar në mbarë vendin nga turistë vendas dhe të huaj.
Gjithashtu ai paralajmëroi një reformë të plotë së bashku me institucionet e tjera shtetërore në ndryshimet ligjore dhe lejet mjedisore për biznesin e guroreve.
“Ne nuk mund të lejojmë që këto gurore të shfrytëzojnë në mënyrë barbare një nga pasuritë më të bukura natyrore të Shqipërisë që është Mali i Tomorrit. Ne nuk mund të lejojmë që këto gurore, si shumë gurore në Shqipëri, të shfrytëzojnë pasuritë natyrore jashtë çdo kriteri mjedisor. Do të reduktohen në mënyrë të menjëhershme të gjitha lejet mjedisore të dhëna për guroret të cilat janë jashtë kritereve. Do të kërkohet evidentimi i problematikave të gurores, duke parë lejet dhe mënyrën sesi shfrytëzohen këto gurore, pasi këto duhet të kenë një leje të mirëpërcaktuar, mënyrë pune të mirepërcaktuar dhe mbrojtje mjedisi të përcaktuar me ligj”, theksoi ministri.
Gjithashtu Ministri Klosi theksoi se lufta kundër guroreve që shkelin lejet mjedisore është një nga pikat kryesore të aksionit 6- mujor.
V.H/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.