Gjobiten 161 biznese – Kapen në shkelje të sigurisë ushqimore

Brenda dy javëve autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ushtruar kontrolle në 1200 subjekte në 12 qarqet e vendit, ku janë penalizuar 161 biznese për shkak të shkeljeve sa i përket sigurisë ushqimore.
Konkretisht, nga inspektimet ka rezultuar se 161 subjekte nuk plotësonin kushtet dhe ndaj tyre janë marrë masa me ‘gjobë’ dhe ‘Paralajmërim’.
Inspektimet janë kryer kryesisht në subjekte ku tregtohen produkte mishi dhe nënproduktet e tij, në baxho dhe në subjekte ku tregtohet qumështi dhe nënproduktet e tij, në markete, supermarkete, restorante etj.
Gjithashtu në fokus të inspektimeve ishin edhe produktet ushqimore të cilat tregtohen pasi u kalon afati i skadencës. Në të gjitha rastet e konstatuara inspektorët e AKU-së kanë bërë bllokimin e mallit dhe asgjësimin e tij.
Nga ana tjetër, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u bën apel qytetarëve që të kontrollojnë në çdo rast datën e skadencës të produkteve ushqimore.
AKU garanton se do të vijojë të marrë masa ndaj atyre subjekteve që shesin ushqime, pasi u ka kaluar afati i skadencës. Po kështu në Qarkun e Fierit janë bllokuar 16 ton ushqim për kafshë.
Ky ushqim për kafshë kishte kalur afatin e skadencës dhe AKU bëri bllokimin dhe asgjesimin e kësaj sasie. Gjithashtu ndaj subjektit u morën masa me gjobë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.