Gjobiten 52 subjekte minerare – AKBN: S’bënë vetëdeklarimet, gjoba nga 100-250 mijë lekë
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka gjobitur 52 subjekte minerare, pasi nuk kanë kryer vetëdeklarimet 3-mujore si dhe nuk kanë paraqitur Planin Vjetor të Punës për vitin 2017.
Referuar të dhënave të AKBN-së, 21 subjekte nuk kanë dorëzuar informacionet për 3-mujorin e parë të vitit, ndërsa 12 subjekte të tjerë për 3-mujorin e dytë.
Masa e gjobës për këto subjekte kap vlerën e 100 mijë lekëve, ndërkohë që pjesë e listës janë firma që ushtrojnë aktivitetin në fushën e gurit gëlqeror, kromit apo rërës bituminoze.
Ndërkaq, sa i takon penalizimeve për subjekte të cilët nuk kanë dorëzuar Planin Vjetor të Punës, masa e gjobës kap vlerën e 250 mijë lekëve. Në total janë 19 subjekte që nuk i kanë dorëzuar këto raporte, ndërsa pjesë e listës janë edhe ata që e kanë dorëzuar me vonesë këtë dokument.
Referuar legjislacionit në fuqi, zotëruesit e lejeve minerare të shfrytëzimit për grupin e mineraleve metalore, ndërtimore, jometalore, qymyret dhe bitumet, si dhe subjektet minerare kanë për detyrë të paraqesin online në programin RevZone ose me protokol pranë AKBN-së informacionin 3-mujor. Po ashtu, pranë këtij institucioni duhet të dorëzohet edhe Plani Vjetor i Punës.
Ndërkaq, nisur nga kjo situatë, Agjencia rikujton subjektet minerare që të respektojnë afatin kohor për vetëdeklarimet online, që për 3-mujorin e tretë të vitit është data 15 Tetor.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.