Gjykata e Romës jep vendimin – Shërbimi taxi “Uber” i jashtëligjshëm

Uber, shërbimi “taxi” përmes aparatëve celularë është shpallur i jashtëligjshëm nga gjykata e Romës. Tashmë kompania nga Kalifornia ka 10 ditë kohë për të ndaluar aktivitetin në Itali, ndryshë rrezikon një gjobë prej 10 mijë eurosh në ditë.
Akuza ndaj kompanisë është se përbën një konkurrencë të pandershme ndaj taksive që operojnë në vend. Për taksitë është një fitore e madhe, pas protestave që përfshinë gjithë vendin.
Megjithatë vendimi ishte i papritur për Uber dhe për mijëra shoferët që përdorin shërbimin në Itali. Kompania nuk ka marrë ende një pozicion zyrtar ndaj vendimit, por duket se është e gatshme për ta kaluar menjëherë në çështjen në apel.
“Do të apelojmë kundër këtij vendimi, i cili bazohet tek një ligj i vjetëruar i cili nuk pasqyron më kohët e sotme”, thanë burime pranë Uber Italia.
Edhe pse rruga e dukshme është ajo drejt gjykatës së apelit, kompania do të ishte e detyruar të ndërpriste shërbimin. Prandaj duket se do të kërkohet një ndërhyrje nga qeveria.
Rregullat e Bashkimit Europian nuk e pengojnë një shërbim si ai i Uber, madje operon në pothuajse 100 qytete të Europës: por mesa duket, në Itali është e destinuar të dështojë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.