Gjykata e Venezuelës ia ndalon Guaidos largimin nga vendi, bllokohen asetet e tij bankare
Gjykata e Lartë e Venezuelës ka ndaluar kryetarin e opozitës Juan Guaido për tu larguar nga vendi si dhe të ngrijë menjëherë llogaritë e tij bankare. Ky veprim ka ardhur si pasojë e një lufte në rritje të pushtetit, pasi Z. Guaido u shpall president i përkohshëm javën e kaluar.
Ai është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera, ndërsa presidenti Nicolas Maduro mori mbështetje nga aleatë të mëdhenj, përfshirë këtu dhe Rusinë. Gjatë një interviste, Maduro u shpreh se ishte i përgatitur të zhvillonte negociata me opozitën. “Jam gati të ulem në tryezën e negociatave me opozitën, në mënyrë që të flasim për të mirën e Venezuelës,” i tha ai agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA Novosti në Caracas.
Z. Maduro përjashtoi një zgjedhje të parakohshme presidenciale, duke thënë se do të mbështeste zgjedhjet e parakohshme parlamentare si “një formë e mirë e diskutimit politik”.
Të shtunën, Bashkimi Evropian i dha Presidentit Maduro një ultimatum për të propozuar zgjedhjet brenda tetë ditësh, në rast se blloku do ta njohë Z. Guaido si president. Opozita i ka kërkuar mbështetësve të marrin pjesë në një protestë paqësore dy-orëshe ditën e sotme, por mbetet ende e paqartë nëse Guaido do të marrë pjesë.
Venezuela është përballur me probleme akute ekonomike dhe gjatë javëve të fundit ka pasur një rritje të dhunës. Protestat janë mbajtur në të gjithë vendin që kur Z. Maduro filloi mandatin e tij të dytë më 10 janar.
Të paktën 40 persona besohet të kenë vdekur dhe qindra janë arrestuar që nga 21 janari, thotë OKB. Gjykata e Lartë, e cila është besnike ndaj Z. Maduro, shpejt i miratoi masat të martën pasi Prokurori i Përgjithshëm Tarek William Saab kërkoi nga ai të merrte “masa parandaluese” kundër Z. Guaido.
Vendimi i gjykatës vjen pak pasi SHBA tha se kishte dorëzuar kontrollin e llogarive bankare të Venezuelës për Z. Guaidó, të cilin tani e konsideron si president legjitim të vendit. Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare John Bolton u përgjigj me një paralajmërim në twitter se kjo do të kishte “pasoja serioze për ata që përpiqen të shkatërrojnë demokracinë dhe të dëmtojnë Guaidon”.
Ada Xhagolli/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.