Gjykata Europiane e Drejtësisë: “Të transferohen refugjatët nga Italia e Greqia” – Bie kërkesa e Sllovakisë e Hungarisë

Italia dhe Greqia do të mund të marrin sërish frymë. Gjykata Europiane e Drejtësisë vendosi të mërkurën në favor të vendimit të Bashkimit Europian për zhvendosjen e mijëra refugjatëve drejt vendeve të tjera të unionit.
Sipas gjykatës, “skema kontribuon në mundësimin e Greqisë dhe Italisë për t’u përballur me krizën e emigracionit të vitit 2015 dhe është proporcionale”.
Në verën e 2015-ës, BE ndërmori dy vendime emergjente për të përballuar krizën. 160 mijë azilkërkues që prisnin të merrnin statusin e refugjatit në këto dy vende do të transferoheshin deri në Shtator 2017 drejt vendeve të tjera anëtare, të cilat do të procesonin edhe aplikimet e tyre.
Hungaria dhe Sllovakia e apeluan këtë vendim, duke e denoncuar si të pabazuar në motive ligjore dhe se nuk ishte e përshtatshme për synimin e kërkuar.
“Shtetet anëtare nuk mund t’u shmangen përgjegjësive. Verdikti i sotëm e ka treguar këtë gjë. Parlamenti ka bërë thirrje vazhdimisht që shtetet anëtare t’u përmbahen angazhimeve të tyre, që prej adoptimit të mekanizmit të zhvendosjes në vitin 2015. Megjithatë, tani pas dy vitesh, vetëm 28 mijë nga 160 mijë njerëz janë zhvendosur”, u shpreh Claude Moraes, eurodeputet britanik.
Për vendimin ka reaguar edhe eurodeputetja gjermane Ska Keller, e cila vlerëson se tashmë është konfirmuar se solidariteti është një parim bazë në politikën e azileve. Ajo nuk ka lënë pa akuzuar edhe krerët e shteteve që bëhen pengesë në këtë proces.
“Më në fund, këto shtete anëtare që kishin bojkotuar procesin deri më tani duhet të kryejnë punën. Solidariteti në BE nuk është një rrugë njëkalimshe. Liderët e qeverive si Viktor Orban nuk mund të kërkojnë më tepër para për mbrojtjen e kufirit, teksa bllokojnë pritjen e refugjatëve nga Italia e Greqia”, tha Keller.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.