Gjykata Europiane: Greqia t’u paguajë 576,000€ emigrantëve që mblidhnin luleshtrydhe

Dyzet e dy emigrantë të jashtëligjshëm të cilët ishin detyruar të mblidhnin luleshtrydhe nën roje të armatosura, kanë fituar mbështetjen e gjykatësve të të drejtave të njeriut në ankesën e tyre ndaj Greqisë.
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut vendosi se këta emigrantë kanë bërë punë të detyruar dhe nuk kanë marrë mbrojtje nga shteti grek. Kështu gjykata vendosi që Greqia duhet t’u paguajë 21 punëtorëve 16 mijë euro për kokë, ndërsa 20 të tjerë do të marrin 12 mijë euro.
Aplikantët janë 42 shtetas nga Bangladeshi, të cilët jetojnë në Greqi. Ata nuk kishin leje pune kur u rekrutuan për mbledhjen e luleshtrydheve në një fermë në Manolada, nga Tetori 2012 deri në Shkurt 2013.
Atyre iu premtuar një rrogë prej 22 eurosh për 7 orë punë dhe 3 euro për çdo orë shtesë. Ata punonin nga ora 7 e mëngjesit deri në 7 të darkës, nën mbikëqyrjen e rojeve të armatosura.
Ata jetonin në baraka të sajuara, pa banjo dhe dushe, ndërsa punëdhënësi u kishte thënë se do të paguheshin vetëm nëse vazhdonin të punonin.
Kur në fund ata nuk u paguan, ata protestuan së bashku me 100 punëtorë të tjerë, por një nga rojet hapi zjarr ndaj tyre duke plagosur rëndë 30 punëtorë.
Ndonëse dy punëdhënësit u dënuan nga Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit po mban çështjen pezull me efekt që zhbën vendimet e nivelit më të ulët. Prandaj punëtorët iu drejtuar Gjykatës Europiane, e cila vendosi që rasti përbënte shkelje të të drejtave njerëzore.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.