Gjykatat dhe klima e biznesit, Banka Botërore nis anketën në Ballkan për të zbuluar impaktin

Është e ditur tashmë që sistemi gjyqësor ndikon në klimën e biznesit të shumë vendeve, duke cënuar sidomos ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, të cilat kanë më pak mundësi për t’u përballur me problemet e një gjyqësori të dobët.
Gjykatat që performojnë keq gjithashtu vonojnë aktivitetin e biznesit, cënojnë parashikueshmërinë, si dhe shtojnë rreziqet e kufizojnë rritjen e sektorit privat.
Banka Botërore kërkon të zbulojë më tepër nga lidhja “gjykatë-biznes”, duke zhvilluar një anketë të posaçme në Ballkan. Në anketë do të përfshihen mbi 350 biznese nga secili prej 8 vendeve që do të analizohen: Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.
Sondazhi do të mbledhë të dhëna nga kompanitë me eksperienca reale gjyqësore, por edhe nga bizneset që u shmangen gjykatave dhe operojnë në hijen e ligjit.
Duke krijuar një lidhje shkak-pasojë dhe duke rritur kuptimin e fenomenit, Banka Botërore synon të ngrejë një strategji për të adresuar problemin në rajon.
Rezultatet do të publikohen në mes të vitit 2018, me specifikat për secilin vend, sistemin gjyqësor dhe klimën e biznesit.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.