Gjyqtarët e shkarkuar, SPAK nis sekuestrimet – Përshëndet Yuri Kim

Siç edhe paralajmërohet prej kohësh, SPAK ka nisur sekuestrimet e gjyqtarëve të shkarkuar nga Vetting-u për shkak të mosjustifikim të pasurive. Të mërkurën Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit ka bërë me dije se janë vënë nën sekuestro pasuritë e tre ish gjyqtarëve me profil të lartë: Fatos Lulo (ish – gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese), Bashkim Dedja (ish – Kryetar në Gjykatën Kushtetuese) dhe Shkëlzen Selimi (ish – gjyqtar në Gjykatën e Lartë).
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 7.5.2020 regjistroi procedimin penal nr.137 për veprën penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” të parashikuar nga neni 257/a/2 të Kodit Penal.
Nga hetimi penal i kryer, rezultuan të dhëna që këta subjekte kishin në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme, apo pasuri që i kanë fshehur. Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesat përkatëse për sekuestrimin e pasurive në zotërim/pronësi të këtyre tre subjekteve.
Përmes një deklarate zyrtre, SPAK ka bërë publike kërkesat për sekuestro që tashmë janë miratuar nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion. Bëhet fjalë për Vendosjen e sekuestros mbi pasurinë në zotërim të shtetasit Fatos Lulo, me sipërfaqe 172 m2, e llojit Njësi/Dyqan, e ndodhur në rrugën e Durrësit, Tiranë. Së dyti, sekuestron mbi pasurinë në zotërim të shtetasit Bashkim Dedja, e llojit apartament, me sipërfaqe 60 m2, e ndodhur në zonën Kryemedhenj, Njësia Administrative Golem Kavajë. Dhe së treti mbi pasuritë në pronësi/zotërim të shtetasit Shkëlzen Selimi, si vijon: 1. 1/2 (50%) e pasurisë e llojit truall 432 m2 dhe objekt 132.25 m2 Karburant/Pikë Tregëtimi, me vendodhje Shetitore Lungomare, Vlorë, në pronësi të shtetasit Shkëlzen Selimi 2. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 2400 m2 (pasuri e përbërë nga bashkim pasurish), e ndodhur Jonufër, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimi. 3. 55% e pasurisë e llojit truall, me sipërfaqe 764 m2 dhe godinë me sipërfaqe 57 m2, Karburant, e ndodhur në Rrugën Transballkanike, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimi.
Lajmi është përshëndetur shumë shpejt nga Ambasadorja Amerikane në Tiranë Yuri Kim. Përmes një njoftimi në Twitter, ajo përshëndet pranimin e kërkesës së SPAK nga ana e Gjykatës së posaçme të tre ish gjyqtarëve të rangjeve të larta. “reforma në Drejtësi nuk do të jetë e shpejtë, e lehtë, apo e përsosur, por po ecën përpara hap pas hapi”.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.