Gjysma e bizneseve “fshehin” pronarët – Ndryshon ligji, falen gjobat e deritanishme dhe përshkallëzohen masat

Më pak se gjysma e subjekteve që kanë detyrim regjistrimin e pronarëve përfitues në regjistër, kanë zbatuar legjislacionin, pavarësisht se afati ka qenë deri më datë 30 Qershor 2021. Për këtë arsye, Ministria e Financave ka hedhur për konsultim ndryshimet në ligjin “Për pronarët përfitues”, për të bërë rregullimet e duhura me qëllim zbatimin e tij. Sipas relacionit, detyrimin për regjistrimin e pronarëve përfitues e kanë 59.165 subjekte raportuese ekzistuese dhe e kanw pwmbushur vetwm 21.460.
Po ashtu, nga nga 4861 Organizata Jofitimprurëse ekzistuese vetëm 1961 prej tyre kanë regjistruar të dhënat e pronarëve të tyre përfitues në regjistër. Ndërkaq, nga 2869 subjekte raportuese të krijuara rishtazi pas krijimit të Regjistrit të Pronarëve Përfitues(gjatë periudhës kohore 01.02.2021-10.11.2021), vetëm 1972 subjekte kanë regjistruar të dhënat në regjistër brenda 30 ditëve kalendarike nga data e regjistrimit të tyre në regjistrin tregtar.
Me qëllim rregullimin e kësaj situate dhe zbatimin e rekomandimeve të ekspertëve të MONEYVAL, të cilët kërkojnë që Shqipëria të krijojë mekanizma që të sigurojnë një numër sa më të lartë të subjekteve raportuese, janë ndërmarrë ndryshime ligjore që synojnë popullimin automatik të regjistrit të pronarëve përfitues nga Qendra Kombëtare e Biznesit për subjektet raportuese që kanë pronësi direkte, duke ju referuar gjendjes se ortakërisë të regjistruar në regjistrin tregtar për subjektet raportuese me pronësi direkte; Shtyrjen e afatit për raportimin fillestar të pronarëve përfitues nga subjektet raportuese ekzistuese me pronësi indirekte të regjistruara në regjistrin tregtar dhe nga Organizatat Jofitimprurëse, deri më datë 01.04.2022.
Shtyrjen e afatit për subjektet raportuese që regjistrohen rishtazi, nga brenda 30 ditëve kalendarike nga data e regjistrimit të subjekteve në 40 ditë kalendarike; faljen e gjobave të vendosura nga QKB-ja përpara hyrjes në fuqi të projektligjit, në lidhje me mos përmbushjen e detyrimit për raportimin fillestar të pronarëve përfitues nga subjektet raportuese, me kusht që raportimi të kryhet prej tyre deri më datë 01.04.2022.; Përshkallëzimin e masës së kundërvajtjeve administrative që do të vendosen në vijim të hyrjes në fuqi të projektligjit, mbi bazën e vonesës në përmbushjen e detyrimit të raportimit fillestar të pronarëve përfitues nga subjektet raportuese që regjistrohen rishtazi.; Parashikimin e procedurës së pezullimit të aplikimit për një afat 30 ditor, në rast të aplikimeve të paplota; Heqjen e gjobës për admistratorin në rastin e mosregjistrimit të të dhënave të pronarëve përfitues të subjekteve raportuese brenda afatit ligjor, dhe përfshirja e vlerës së kësaj gjobe në gjobat e vendosura ndaj subjekteve raportuese.
Lejimi i ofrimit të shërbimit të ndryshimit/riemërimit të administratorit ose të përfaqësuesit ligjor të subjekteve raportuese në rastet kur ndaj subjekteve raportuese është vendosur gjobë dhe është ndërprerë shërbimi në regjistrin tregtar dhe dhe në Regjistrin e Organizatave JoFitimprurëse.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.