Goditja ndaj krimit financiar. Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimi mes tre institucioneve
Bashkëpunim ndërinstitucional për intensifikimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.Ky është thelbi i memorandumit që u nënshkrua nga Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme dhe ministrja e financave dhe ekonomisë nënvizuan si nevojë konsolidimin e linjave të komunikimit mes institucioneve.
“MFE ka filluar intensivisht punën për ngritjen e 2 regjistrave të rinj themelor në vendin tonë, një për pronarët përfitues të personave juridik, legjislacioni për të cilin është konsultuar edhe publikisht me grupet e interesit; -si dhe për regjistrin kombëtar të llogarive. Këta regjistra do t’u shërbejnë jo vetëm agjencive të zbatimit të ligjit dhe atyre të inteligjencës, por edhe organeve tona tatimore dhe doganore,” – u shpreh Denaj.
Ndërkohë ministri i brendshëm, Sandër Lleshaj u shpreh se lufta kundër pastrimit të parave, krimit ekonomik dhe financiar, është thelbi i luftës kundër krimit të organizuar.
“Lufta kundër pastrimit të parave, krimit ekonomik dhe financiar, në fakt është thelbi i luftës kundër krimit të organizuar. Shterimi i burimeve të financimit të krimit, si edhe pengimi i krimit për të gëzuar produktet e veprës kriminale, është thelbi i të gjithë përpjekjes i cili çon në shkatërrimin e modelit të biznesit.“
Lleshaj teksa u ndal tek angazhimet maksimale në këtë luftë, theksoi se vetëm për vitin 2019 policia ka sekuestruar një sasi rekord prej 100 milionë euro asete ekonomike me origjinë nga krimi.
Nertila Doko / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.