Google i bashkohet Amazon dhe Apple në klubin 1 mijë dollarësh
Aksionet e Alphabet, kompanisë mëmë të gjigandit të internetit Google arritën të hënën një rekordi të ri. Kompania është në rritje prej 25% këtë vit dhe tashmë vlera e saj në treg është 680 miliardë dollarë, e dyta vetëm pas Apple, që vlen më shumë se 800 miliardë dollarë.
Suksesi është si pasojë e dominimit të vazhdueshëm të motorit të kërkimit të Google, dhe paratë e reklamimit që vijnë bashkë me të. Kompania pret të raportojë rreth 108 miliardë dollarë shitje këtë vit.
Megjithatë edhe YouTube e Android janë duke gjeneruar gjithmonë e më shumë të ardhura dhe fitime për kompaninë.
Alphabet ka zgjeruar rrjetin e saj duke investuar edhe në kompani të tjera si Ëaymo që prodhon makina pa shofer dhe shërbimin e tij të internetit Google Fiber.
Por suksesi i kompanisë është shtrirë edhe tek themeluesit e saj, duke i bërë super të pasur. Larry Page, i cili është gjithashtu CEO i Alphabet, si edhe Sergey Brin vlejnë secili nga 50 miliardë dollarë.
Megjithatë anëtarësia në klubin 1 mijë dollarësh nuk është një tregues për vlerën reale në bursë të kompanisë, pasi edhe portali i internetit Priceline bën pjesë në këtë grup.
Vlera e vërtetë nëse një aksion është i shtrenjtë apo i lirë është raporti i çmimit me fitimet. Sipas kësaj baze, Alphabet konsiderohet me çmim të arsyeshëm, ndonëse jo të lirë, duke u tregtuar për 25 herë fitimet e parashikuara për vitin 2018.
Nga ana tjetër, Amazon tregtohet 90 herë mbi përllogaritjet e fitimit, ashtu si gjigandët e tjerë të teknologjisë si Apple, Microsoft dhe Facebook.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.