Granti për strehim, MZHU mbështet familjet në Berat e Përrenjas
Ministria e Zhvillimit Urban vijon shpërndarjen e grantit të menjëhershëm për familjet në nevojë sipas kërkesave të bashkive në vend.
7 familje në Berat e Përrenjas janë përfitueset e para të grantit për vitin 2017, me një fond total prej 886,356 lekë, duke e çuar në 42, numrin e familjeve përfituese në këto dy vitet e fundit në 8 bashki të vendit.
Për herë të parë në buxhetin e vitit 2016, u riaktivizua mekanizmi financiar i Grantit të Menjëhershëm, një tjetër mekanizëm financiar që u vjen në ndihmë familjeve me statusin e jetimit dhe personave me aftësi të kufizuar, duke iu paguar në mënyrë të menjëhershme 5 ose 10% të vlerës së pagesës së banesës të përfituar nga programi i banesave me kosto të ulët apo programi i kreditimit të lehtësuar.
Bashkia Berat ka paraqitur kërkesën për grant të menjëhershëm, të miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak nr. 21, datë 28.02.2017, në përputhje me legjislacionin në fuqi, për 6 persona përfitues dhe vlera totale e grantit të menjëhershëm, është në shumën 646,592 lekë.
Ndërsa Bashkia Përrenjas ka paraqitur kërkesën për grant 7, për 2 persona përfitues me vlerë totale 424,791 lekë. Vetëm një prej dy familjeve plotësonte kushtet e për grantin e menjëhershëm.
Për vitin 2017, Ministria e Zhvillimit Urban ka miratuar 13 projekte për rikonstruksionin e banesave të komunitetit rom dhe egjiptian prej nga do të përfitojnë 300 familje rome dhe egjiptiane, në 13 bashki të vendit. 70 familje të pastreha, në 4 bashki, do të përfitojnë nga rehabilitimin e godinave ekzistuese të dala jashtë funksionit, ndërkohë që, po përmes buxhetit të vitit 2016, do t’u ofrohet granti i menjëhershëm për shlyerjen e kredisë së përfituar të banesës me kosto të ulët në masën 5 – 10 % të vlerës së banesës për 20 familje me statusin e jetimit apo me person me aftësi të kufizuar
Për vitin 2017 fondet e miratuar për bonusin e strehimit janë në vlerën 14 milionë lekë, të cilat do të mbulojnë qiranë deri në masën 50-100% për 210 familje të reja, nga të cilat 30 familje një prindërore, me gra kryefamiljare.
Ndërkohë, 281 milionë lekë do të përdoren për subvencionimin e interesave të kredive me përfitues 4300 familje, të cilat janë trajtuar me kredi me kosto të ulët, duke zvogëluar numrin e të pastrehëve në mbarë vendin.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.