Gratë Ndërmjetësuese Mesdhetare – Bushati: Shqipëria do të jetë pjesë e rrjetit
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati së bashku me homologun e tij Italian dhe organizatën e Grave të OKB-së, UN Women, morën pjesë në aktivitetin “Rrjeti i Grave Ndërmjetësuese Mesdhetare”. Në fokus të këtij takimi ishte kalimi i projekteve nga teoria në praktikë.
Ky takim, i paraprin lançimit në Romë, në fund të muajit tetor 2017, të Rrjetit Mesdhetar të Grave Ndërmjetësuese.
Ministri i Jashtëm italian, Zv. Presidentja e UN Women, si dhe Këshilltarja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së theksuan rëndësinë e pjesëmarrjes së grave në proceset e ndërmjetësimit me bindjen se përpjekjet për paqe kërkojnë kontributin e të gjithëve.
Ministri Bushati theksoi mbështetjen e Shqipërisë për krijimin e rrjetit dhe vlerësoi rolin e rëndësishëm që këto rrjete ndërmjetësimi luajnë në disa rajone të botës e ku gratë janë protagonist.
Duke iu referuar pozitës së gruas në shoqërinë shqiptare, Bushati theksoi se pjesëmarrja e tyre në nivelet drejtuese ka ardhur duke u rritur dhe sot ato përfaqësohen me rreth 30% në parlament, 50 përqind në kabinetin qeveritar, 45% e administratës publike, 25% në pozicionet drejtuese në diplomaci, etj. Ministri Bushati theksoi se gratë nga Shqipëria do të jenë pjesë e rrjetit dhe do të angazhohen për suksesin e iniciativës.
Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati zhvilloi një takim me Drejtorin Ekzekutiv të Komitetit Amerikano-Hebre, David Harris dhe anëtarë të organizatës.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.