Gratë në sipërmarrje – Dhuli: Nisin aplikimet, ja kategoritë prioritare sipas biznesit

Nis këtë javë zbatimi i programit të Bashkisë së Tiranës për Fuqizimin e Grave dhe Nxitjen e Sipërmarrjes, përmes të cilit parashikohet mbështetja financiare e atyre grave që dëshirojnë të hapin një biznes ”. Lajmi për TV SCAN bëhet me dije nga drejtori i Nxitjes së Punësimit, në këtë institucion Fatjon Dhuli, i cili bëri me dije mënyrën e aplikimit për gratë e interesuara.
“Këto ditë e shpallim zyrtarisht. Ka një periudhë 3-javore ku ne i japim mundësi të gjithë kandidatëve të paraqesin idetë e tyre të biznesit, ku në website-in tonë të Bashkisë së Tiranës mund të gjejnë një informacion të detajuar se si plotësohet një format, një plan ide biznesi. Çdo gjë është e shprehur qartë me pyetje të cilat janë të drejtuara në formatin e plan-idesë së biznesit. Shkurtimisht do shprehin interesin për të aplikuar në këtë grant, çfarë ato mendojnë që mund të ndërtojnë. Dorëzohet pranë Bashkisë së Tiranës në sektorin e pritjes së qytetarit dhe bëhet vlerësimi nga Komisioni i Vlerësimit”, tha drejtori i Nxitjes së Punësimit.
Sipas Dhulit janë një sërë kategorish dhe lloje biznesesh, të cilat do të favorizohen për t’u shpallur fitues.
“Ne kemi disa sektorë të cilëve do u japim prioritet. Është sektori i turizmit, sektori i inovacionit, gratë që mund të ofrojnë një shërbim që nuk është në tregun shqiptar, janë prioritet gratë nga zonat rurale, gratë që duan të investojnë në zonat rurale, është projekt i cili ka në fokus të veçantë zonat rurale. Janë edhe sigurisht një sërë shërbimesh të cilët mund të përfitojnë, është tregtia që mundet të përfitojë, ato në fushën e turizmit janë shumë prioritet nga ana jonë. Kemi rënë dakord që të gjitha palët që të mos ketë një moshë të caktuar, mundet të aplikojnë të gjitha gratë pa kriter moshe, deri po themi në moshën 59-60 vjeç që janë të afta për punë deri para moshës së daljes në pension”, sqaroi Dhuli.
Fondi total i vënë në dispozicion për këtë program është 7.7 milion lekë, nga të cilat 5 milion financohen nga Bashkia e Tiranës dhe 2.7 milion nga UNDP.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.