Gratë të nënpërfaqësuara në ekonominë e Kosovës – 82% joaktive, pjesa tjetër has vështirësi për të gjetur punë

Përfaqësimi i dobët i grave në ekonominë e Kosovës është një nga problematikat kryesore që ndikojnë në potencialin e rritjes ekonomike. Vetëm 18% e grave janë pjesëmarrëse nga forcat e punës, e megjithatë 37% nuk arrijnë të gjejnë punë.
Edhe në sipërmarrje situata paraqitet problematike, ku vetëm 10% e pronarëve të bizneseve janë gra, kryesisht të bizneseve të vogla dhe mikro.
Instituti Riinvest ka kryer një anketë me 600 gra të punësuara nëpër komunat kryesore të Kosovës, nga ku ka evidentuar edhe sfidat më të mëdha me të cilat përballen në tregun e punës.
Për gratë që kërkojnë punë për herë të parë, gjetja e një vendi pune është edhe më i vështirë dhe 57% shprehen se u janë dashur më shumë se 6 muaj kohë.
Nga gratë e punësuara, 38% kanë diplomë bachelor, ndërsa 13% kanë një diplomë masteri ose më të lartë. Këto dy kategori përfitojnë edhe nga paga më të larta, mesatarisht 429 dhe 535 euro, kundrejt pagës mesatare prej 387 eurosh.
Diferenca në paga është më e theksuar në varësi të sektorit të punësimit, ku paga mesatare në sektorin publik është 443 euro, ndërsa në atë privat 329 euro, ose 26% më e ulët.
Sektori privat ofron edhe kushte më të vështira pune, si në mungesë kontratash, ashtu edhe në respektimin e kodit të punës. Kështu, Përqindja e grave në sektorin privat që kanë punuar gjatë fundjavave, është dy herë më i madh se në sektorin publik (66% krahasuar me 34%). Ndërsa për festat zyrtare ky raport është edhe më i thellë.
36% e grave ndihen se niveli i ulët i pagës që marrin është pengesa kryesore, ndjekur nga orari i papërshtatshmë (15%) dhe mungesa e fleksibilitetit në orarin e punës (12%). Sa i takon orareve shtesë, 75% shprehen se nuk kanë marrë asnjëherë ndonjë kompensim për këtë lloj pune.
Punësimi i grave rezulton të jetë i varur edhe nga zona e banimit. Sipas përllogaritjeve të studimit, 40.3% e të gjitha grave të punësuar në Kosovë punojnë në Prishtinë, i cili është edhe qyteti me përqendrimin më të lartë të popullsisë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.