Greqia “del” nga recesioni – “Përmbysen” shifrat, në tremujorin e parë ekonomia u rrit me 0.4%
Të dhënat e fundit tregojnë se, në mënyrë surprizë, ekonomia greke i është rikthyer rritjes gjatë tremujorit të parë të vitit. Kjo rritje fiksohet në 0.4% në krahasim me tre muajt paraardhës, sipas të dhënave më të fundit të publikuar nga agjencia helene e statistikave.
Të dhënat kanë përmbysur tërësisht ato paraprake. Fillimisht, Elstat, projektonte që ekonomia e vendit të ishte kontraktuar me 0.1% gjatë periudhës Janar-Mars të këtij viti. Edhe në terma vjetorë përmbysja e vlerësimeve është drastike.
Fillimisht vlerësohej një kontraktim i ekonomisë me 0.5% gjatë tre mujorit të parë të këtij viti në krahasim me atë të 2016-ës, ndërkohë që të dhënat e fundit flasin për një rritje në 0.4%.
Dështimi i agjencisë së statistikave helene vjen si pasojë e të dhënave të tremujorit të fundit të 2016-ës. Madje, të dhënat e fundit hedhin poshtë tërësisht faktin se, ekonomia greke është në recesion.
Teorikisht një ekonomi hyn në recesion kur, në dy tremujorë me radhë, ekonomia është në kontraktim. Me rivlerësimin e shifrave të tremujorit të parë, jo vetëm në territor pozitiv, por shumë pranë mesatares së Eurozonës, Greqia nuk është më në recesion, dhe mund të marrë disi frymë lirisht.
Nga ana tjetër, këto të dhëna largojnë frikën se, vonesat me kreditorët mund të ngadalësojnë ekonominë. Shtysa kryesore për ekonominë greke gjatë tremujorit të parë, është konsumi, por edhe investimet.
Nga ana tjetër, eksportet vijojnë të japin një kontribut negativ në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.