Greqia, drejt rikthimit të besimit – Tsakalotos: Nuk është çështje parash, por kredibiliteti
Qeveria greke është e bindur se, reformat shumë të nevojshme do të përfundojnë së shpejti dhe në këtë mënyrë, vendi do të marrë fonde të reja nga Bashkimi Europian. Greqia, pas krizës së rëndë financiare që kërcënoi të gjithë rajonin në vitin 2015, nuk është më nën programin e shpëtimit, por si pjesë e një marrëveshjeje të nënshkruar vitin e kaluar, ka nevojë të zbatojë disa masa të reja në këmbim të lehtësimit të borxhit. Sipas marrëveshjes, Athina do të marrë përfitime nga bankat qendrore rajonale kur niveli i borxhit sovran në arrijë atë kategori sa ti lejojë vendit të riinvestojë në ekonomi.
Megjithatë, zyrtarët europiane kanë deklaruar shpesh herë se, qeveria greke është prapa me planin dhe rrezikon të mos i marrë këto para muajin e ardhshëm, kur ministrat e financave të Eurozonës të takohen për të vendosur mbi disbursimin. Gjithsesi, ministri grek i financave, Euclid Tsakalotos, deklaroi në një intervistë për CNBC se, reformat do të jenë gati deri më 11 mars dhe raporti i ardhshëm mbi progresin e Greqisë, që po përgatitet nga kreditorët, do të jetë pozitiv.
“Kemi ende edhe pak punë për të miratuar legjislacionin, që është rënë dakord mes ministrave të Eurogrupit. Raporti do të jetë i favorshëm. Ka edhe një ose dy gjëra që duhet të kalojë përmes parlamentit”, tha Tsakalotos për CNBC. Kreditorët europianë publikuan një raport fillestar në nëntor, duke deklaruar se kishte vonesa në 16 angazhimet specifike të qeverisë greke, që duhej të përfundonin në vitin 2018. Greqia nuk ka nevojë për para shtesë, por sipas ministrit Tsakalotos nuk është çështje parash, por çështje kredibiliteti.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.